29 Mars 2024

Ministri Hyseni në OKB, lobon për njohjen e shtetit të Kosovës

New York, 28 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka zhvilluar një numër të madh takimesh me përfaqësues të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Ministri do të ketë edhe disa dhjetëra takime të tjera gjatë ditëve në vijim në kuadër të një agjende intensive dhe sistematike që synon rritjen e numrit të njohjeve për shtetin e Kosovës.

Në të gjitha këto takime, Ministri Hyseni u ka shpjeguar bashkëbiseduesve të tij përmbajtjen, kuptimin dhe rëndësinë e mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, organit kryesor gjyqësor të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në këtë rrafsh, Ministri ka ofruar një shpjegim të detajuar të Mendimit, vendimi për të cilin ishte marrë nga shumica dërmuese e gjykatësve, dhe i cili ishte eksplicit, i qartë, nuk linte hapësirë për asnjë dyshim ose shumëkuptimësi, dhe në të gjitha pikat ishte në favor të Kosovës.

Gjykata kishte rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura kundër ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, duke gjetur se shpallja e aktit të pavarësisë, dhe për rrjedhojë krijimi i shtetit të Kosovës, nuk kishte shkelur asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës së përgjithshme ndërkombëtare, dhe ka shkuar edhe më tutje, duke mos gjetur gjithashtu asgjë që nuk ishte në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose dhe me Kornizën Kushtetuese.

Për më tepër, vetë Gjykata është shprehur se, Rezoluta 1244 nuk ka përmbajtur asnjë ndalesë për shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë. Në këtë mënyrë, ka thënë Ministri Hyseni, është rikonfirmuar e drejta e Kosovës për shtetësi.

Në takimet që ka zhvilluar, Ministri Hyseni ka thënë se, për shtetet të cilat e kanë shtyrë aktin e njohjes në pritje të Mendimit, tash është koha që të lëvizin në drejtim të njohjes formale, dhe ka ripërsëritur edhe njëherë thirrjen drejtuar autoriteteve kompetente të shteteve përkatëse që të njohin shtetin e Kosovës.

Në anën tjetër, Ministri është siguruar nga të gjithë përfaqësuesit që ka takuar se, kërkesa për njohje do t’u përcillet autoriteteve më të larta të vendeve të tyre dhe se e njëjta kërkesë do të shqyrtohet nga vendet e tyre.

Është e rëndësishme të theksohet se, të gjitha takimet janë karakterizuar nga një atmosferë shumë pozitive dhe e ndryshme në krahasim me atë që ka mbizotëruar përpara shpalljes së Mendimit të Gjykatës Botërore.

Përveç takimeve intensive dhe si pjesë e veprimeve të pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës, ditëve të kaluara janë shpërndarë edhe 121 letra – kërkesa të ripërsëritura për njohje të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës drejtuar Ministrave të Punëve të Jashtme të këtyre shteteve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)