18 Prill 2024

MD do të hartojë politika në përkrahje të mërgimtarëve

Prishtinë, 16 - Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës (MD) Ibrahim Makolli, priti Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Ernst Reichel, me të cilin bisedoi për mundësinë e bashkëpunimit në fushat që kanë të bëjnë me mërgatën kosovare në Gjermani.

Ministri Makolli e njoftoi ambasadorin gjerman me prioritet e MD-së, duke potencuar këtu ndërtimin dhe zhvillimin e politikave që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit kombëtar të mërgimtarëve në vendet ku ata jetojnë.

“Ruajtja e identitetit kombëtar është interes edhe i vendeve ku jetojnë mërgimtarët, pasi ata pasurojnë diversitetin kulturor të asaj shoqërie. Ne po ashtu jemi shumë të interesuar që diaspora jonë të jetë e integruar mirë në vendet ku jeton”, tha ministri Makolli.

Ministri Makolli po ashtu tha se, ministria do të hartojë politika në përkrahje të investimeve të mërgimtarëve në Kosovë, pasi siç tha ai, hapja e bizneseve të mërgimtarëve jo vetëm që zhvillon ekonominë, por me hapjen e vendeve  të reja të punës parandalon përpjekjet e shumë të rinjve për të ikur ilegalisht nga vendlindja.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, tha gjithashtu se mos përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit është një padrejtësi që po u bëhet qytetarëve të Kosovës dhe familjarëve të tyre në diasporë në pamundësi të lëvizjes së lirë të tyre dhe kësisoj forcimit të lidhjeve familjare.

Nga ana e tij, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Ernst Reichel, tha se Ministria e Diasporës përbënë një dikaster të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Gjermanisë dhe Kosovës, duke theksuar se diaspora përbën një ndër elementet vendimtare për marrëdhëniet mes popujve.

Ai ofroi bashkëpunimin e ambasadës gjermane në projektet që kanë te bëjnë me diasporën kosovare në Gjermani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)