18 Prill 2024

Leddington: Pavarësia e Kosovës është një fakt i përcaktuar

Prishtinë, 24 qershor - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot David Leddington, Ministër për Evropë i Mbretërisë së Bashkuar.

Pasi shprehu falënderimet e gjithmonshme të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë dhe i jep Republikës së Kosovës, Presidenti Sejdiu e përgëzoi ministrin për detyrën e re që ka marrë dhe i shprehu atij përgëzimet e përzemërta për kryeministrin e ri të Mbretërisë së Bashkuar dhe për Lartmadhërinë e saj, Mbretëreshën Elizabeth.

Presidenti Sejdiu dhe ministri David Leddington në takim biseduan për proceset aktuale nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, për sfidat që kemi para vetes, por edhe për rezultatet e arritura deri më tash.

“Shprehëm përkushtimin tonë, si gjithmonë, se Kosova është dhe do të mbetet atdhe i të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, se Kosova dëshiron të lëvizë shpejt në proceset euroatlantike, se Kosova ka krijuar një strukturë të qëndrueshme të korpusit legjislativ për investime të jashtme dhe për zhvillim të shpejtuar ekonomik”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ai gjithashtu potencoi faktin se Kosova ka raporte të mira me fqinjët e saj dhe se është e interesuar që këto raporte të mira t’i ketë i edhe me Republikën e Serbisë.

“Besoj se e ardhmja do të jetë në favor të kësaj, pavarësisht qasjes së deritashme joracionale dhe me tension që Republika e Serbisë mban karshi Kosovës”, pohoi Presidenti.

Ndërkaq, në lidhje me zgjedhjet e fundit në komunën e re të Parteshit, Presidenti Sejdiu tha se pjesëmarrja e lartë e qytetarëve serbë në zgjedhjet e fundit është dëshmi e punës së mirë që kanë bërë institucionet e vendit, qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare për të pasur procese të mira dhe relaksim për marrëdhënie të mira në mes të etnive në Kosovë.

Në konferencën e përbashkët për media me ministrin David Leddington, Presidenti Sejdiu iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për “strategjinë dalëse”, të Kosovës, pas vendimit të GJND-së, me ç’rast tha se “Kosova ka daljen e vet në ditën e 17 shkurtit të vitit 2008 dhe u është bashkëngjitur familjes së vendeve të lira, dhe se mendimi këshillëdhënës i GJND-së nuk mund të jetë kundër argumenteve të lirisë së një populli”.

“Kosova, shtet i pavarur, ka integritetin e saj të garantuar ndërkombëtarisht dhe vullnetin e popullit të saj dhe pazaret që mund të bëhen në kthina apo skuta të llojllojshme absolutisht janë të papranueshme”, theksoi Presidenti Sejdiu.

I pyetur nga gazetarët për të komentuar shkrimet në disa media se vizita zyrtare e Presidentit Sejdiu para disa ditësh në shtetin e Malavit, kinse është shfrytëzuar edhe për biznese të caktuara, Presidenti Sejdiu pohoi se “kishte lexuar shkrime të tilla që janë qasje të njerëzve se çfarë duan të shkruajnë në gazeta”.

“Do të vazhdoj angazhimin tim të plotë për interesat e Republikës së Kosovës, të kem mundësi të zhvillimit të bashkëpunimit me vendet e ndryshme në kontinente për interesat e Republikës, në aspektin e njohjeve të reja, por edhe për zhvillimin ekonomik të saj”, tha ai.

“Kjo është kohë e tregut të lirë, e zgjidhjes së secilit me kë dëshiron të bashkëpunojë edhe në kuptim të interesave, flas të qytetarëve, të biznesmenëve dhe të gjithë të tjerëve dhe janë qesharake ato që janë shkruar në tipin e tillë të gazetave. I di qëllimet, nuk është diçka që më nxjerr jashtë binarëve të fokusit të punës që kam për interesat e vendit që prezantoj dhe fundja unë kam pasur me vete një ekip të mirë të njerëzve që kanë qenë me mua dhe që i kanë edhe regjistrimet e plota nga ajo vizitë”, tha Presidenti Sejdiu.

Ndërsa ministri David Leddington theksoi se kjo është vizita e tij e parë në Kosovë si Ministër për Evropë në Qeverinë e re Britanike.

“Pata mundësinë ta përgëzoj Presidentin për suksesin e zgjedhjeve të fundit në Partesh, të cilat mua më janë dukur si një sinjal shumë inkurajues i zhvillimit të programit të decentralizimit dhe si sinjal i shpresës për të ardhmen e Kosovës si një shtet demokratik shumetnik. Shpresoj se opinioni i pritur i GJND-së do të na e ofrojë mundësinë që të lëvizim përpara, që të mos përfshihemi në debate të reja për gjërat që tashmë janë vendosur, gjegjësisht për pavarësinë e Kosovës, por në një dialog midis Kosovës dhe Serbisë për çështjet praktike që mund ta ndryshojnë jetën e qytetarëve të rëndomtë në të dyja vendet. E sigurova Presidentin se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pret me padurim që ta mbështesë Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësi të plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se ne do të punojmë së bashku me partnerët tanë evropianë dhe me institucionet e BE-së që të sigurojmë një përfundim të suksesshëm të këtij procesi të anëtarësimit”, tha ministri David Leddington.

“Pavarësia e Kosovës është një fakt i përcaktuar. Nuk mund të ketë kthim prapa nga ky fakt. Britania po përgatitet së bashku me partnerët evropianë, me Baroneshën Eshton, me Komisionarin Fuller dhe me institucionet evropiane për çfarë ne synojmë të jetë një reagim i bashkërenduar nga BE-së, posa të bëhet i ditur opinioni i GJND-së, që do të synonte që gjërat të shtyhen përpara dhe që do ta mbështeste një dialog konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë për çështjet praktike: tregtinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve...ambiciet e përbashkëta të të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presim me padurim ditën kur edhe Kosova, edhe Serbia do të mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, tha në vijim ministri David Leddington, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

Më tej, i pyetur lidhur me anëtarësimin e Serbisë në BE, ministri Leddington tha se është një fazë shumë e hershme sa i përket anëtarësimit të Serbisë në BE. “Mendoj se është vështirë të mendohet se Serbia mund të anëtarësohet në BE, nëse ende ekziston një gjendje armiqësie midis Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se çfarë është me rëndësi të theksohet në këtë fazë – dhe çfarë ne në Londër dhe çfarë shtetet e tjera anëtare po i thonë Beogradit – është se ne duam që ju të anëtarësoheni plotësisht në familjen evropiane, prandaj le të fillojmë të bisedojmë seriozisht për mënyrën si ju mund ta arrini këtë. Një pjesë e këtij procesi të ndërtimit të marrëdhënieve të plota në Evropën moderne ka të bëjë me gjetjen e mënyrave paqësore për zgjidhjen e kundërthënieve me fqinjët tuaj, e jo me kthimin tek mënyrat e vjetra dhe të tejkaluara të së kaluarës. Presim nga liderët serbë që të përfshihen në një dialog konstruktiv me ne për gjetjen e një mënyre paqësore për të shkuar përpara. Nuk e di sa vjet do të lipsen, por shpresoj se një ditë në jetën tonë kufiri midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe kufiri midis Belgjikës dhe Luksemburgut”, tha ai.

I pyetur nëse është koha e duhur që EULEX-i të tregojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ministri Leddington u përgjigj: “Unë mendoj se është me rëndësi që EULEX-i të ketë sukses. Pata një bisedë me Yves de Kermabon këtë mëngjes për EULEX-in dhe njëra nga mesazhet që unë do t’i përcjellë në Londër është se duhet të mendojmë më shumë në Evropë se si ta përforcojmë misionin e EULEX-it dhe profilin e EULEX-it në Kosovë, përfshirë në veri të Kosovës, ku është evidente se EULEX-i ka hasur në vështirësi. Unë shpresoj se së shpejti ata do ta arrijnë një profil më të lartë dhe do të jenë më aktivë në veri të Kosovës se sa kanë arritur të jenë deri më tani. Duhet t’i fusim njerëzit në punë, e posaçërisht të rinjtë, në mbarë Kosovën, qofshin ata shqiptarë apo serbë; t’jua ofrojmë atyre një karrierë e cila do t’ju jap atyre shpresë reale për të ardhmen e tyre. Do të jemi më të suksesshëm në tërheqjen e investimeve në këtë vend, nëse ka stabilitet politik dhe nëse ka mbështetje të qartë kudo për sundim të ligjit dhe për luftën kundër korrupsionit”.

“Porosia ime në këtë rast do të përfshinte dy gjëra. Para së gjithash, se pavarësia e Kosovës është realitet, se nuk do të ketë ndonjë kthim prapa, se pavarësia është miratuar në mënyrë të lirë me votat e popullit të Kosovës dhe se – siç kanë dëshmuar zgjedhjet në Partesh – këtu u ofrohen mundësi pjesëtarëve të përkatësive të ndryshme etnike që ta jetojnë një jetë të suksesshme dhe t’i qeverisin vetë punët e veta brenda kontekstit të Republikës së Kosovës”, theksoi ministri Leddington.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)