09 Shkurt 2023

Lansohet Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale

Prishtinë, 5 dhjetor - Kryeministri Kurti dhe ministrja Haxhiu e cilësojnë hap tejet të vlefshëm këtë dokument për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përgëzuar angazhimin e të gjithë atyre që kanë kontribuar në hartimin Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale, dhe ka vlerësuar se ky dokument do të ndihmojë në ngritjen e përgjegjësive të dikastereve kompetente në raport me viktimat e dhunës seksuale.

Kryeministri Kurti ka shtuar se, "Puna profesionale dhe me përgjegjësi, përkushtimi serioz dhe ndjeshmëria për vënien e drejtësisë, janë tipare të cilat i bëjnë institucionet e drejtësisë serioze në veprim dhe të përgjegjshme në zbatim të plotë të detyrave dhe misionit që kanë".

Kurti në vijim tha se “Ky Protokoll Shtetëror synon të qartësojë të gjithë institucionet përgjegjëse se nuk ka rëndësi nëse viktima apo e mbijetuara kontakton së pari në urgjencë, denoncon rastin në polici, kontakton me mbrojtësin e viktimave, apo kërkon ndihmë në një qendër të specializuar të shërbimeve për gratë e dhunuara."

"E rëndësishme është që pavarësisht se cili institucion merr informacionin e parë për rastin, duhet të fillojë menjëherë trajtimi me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm dhe duhet të përmbushen të gjitha nevojat specifike të viktimës nëpërmjet qasjes shumë-sektoriale të koordinuar”.

Ministrja Haxhiu tha se ka pasur një përpjekje maksimale që të përgatitet një dokument i mirë, konciz, i shkruar me gjuhë të qartë e të kuptueshme, që bazohet në realitetin sot dhe parashikon qartësisht synimet se ku duam të mbërrijmë nesër, që paraqet drejt përgjegjësitë dhe detyrimet institucionale të ndara në kapituj të veçantë, por dhe punën e përbashkët nën qasjen shumë-sektoriale të koordinuar.

Për këtë, Ministrja e Drejtësisë, falënderoi Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë për mbështetjen e ofruar me ekspertizën e cila ka mundësuar që Kurrikula të jetë në frymë dhe përputhje me Konventën e Stambollit dhe standardet ndërkombëtare.

Përgatitja e këtij Protokolli plotëson detyrimin për zbatimin e Konventës së Stambollit, legjislacionit në fuqi, si dhe Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022–2026, miratuar nga Qeveria e Kosovës më 26.01.2022.


Kalendari

Ngjarjet e datës 9 shkurt 2023

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KGJK-së, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Podujevës, ku do të pritet nga kryetari Shpejtim Bulliqi. (Podujevë, ora 10:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, do të përurojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gllamnik. (Fshati Gllamnik, Podujevë, ora 11:00)  

- Komuna e Prizrenit nënshkruan Agjendën e Kontratës Sociale për Prizrenin, që është zotim i përbashkët i Komunës dhe qytetarëve për përmirësimin e komunikimit, bashkëpunimit dhe veprimeve kolektive. (Këndi Amerikan në Prizren, ora 11:00)

- Federata e Boksit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Laureatët e viti 2022”. (Hotel Sirius, ora 17:00)