19 Prill 2024

Kuvendi s’është kërkah me ligje

Prishtinë, 28 qershor - Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë treguar më dembelë sa i përket miratimit të ligjeve krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Ata që nga muaji shkurt kanë miratuar vetëm 6 ligje, ndërkaq në gjashtëmujorin e vitit 2010 patën miratuar 23.


Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, miratimin e një numri të vogël të ligjeve gjatë kësaj periudhe kohore e ka arsyetuar me vonesën e konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit të vitit të kaluar. “Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 është e vërtetë se janë miratuar më shumë ligje, sepse ka qenë vazhdimi i legjislaturës nga viti i kaluar. Ndërkaq, në këtë vit miratimi i ligjeve ka ardhur vetëm pas konstituimit të institucioneve, më konkretisht projektligjet nga Qeveria kanë ardhur pas 25 prillit”, ka thënë për “Epokën e re”, Krasniqi.


Në këtë kontekst, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se Kuvendi është duke punuar me intensitet të lartë në përmbushjen e detyrave dhe konform proceduarave të parapara. “Kuvendi i Republikës së Kosovës është duke punuar intensivisht në përmbushjen e detyrave të veta dhe deri më tani nuk kemi asnjë vonesë në procedura”, ka thënë Krasniqi.


Pavarësisht përpjekjeve, ka qenë e pamundur gjatë ditës së hënë të kontaktohet edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pasi puna e Kuvendit, për sa i përket matarimit të ligjeve, varet nga Qeveria, e cila është sponsoruesja kryesore.

Selmanaj: Kuvendi ka dështuar në kryerjen e obligimeve kushtetuese

Përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Driton Selmanaj, e ka quajtur të dështuar Kuvendin e Kosovës në gjashtëmujorin e parë të këtij viti për sa i përket miratimit të ligjeve. Sipas Selmanajt, me këtë dinamikë të punës Kuvendi nuk do të mund ta realizojë as 20 për qind Planin e Punës.


“Mund të konstatohet një dështim i Kuvendit të Kosovës në kryerjen e obligimeve Kushtetuese, pra të miratimit të ligjeve. Kjo legjislaturë në sesionin pranveror nuk ka punuar me dinamikën e paraparë. Me Planin e Punës Kuvendi ka paraparë të miratojë 150 ligje. Puna momentale në Kuvendin e Kosovës nuk jep shpresë që të realizohet ky plan, sepse me këtë ritëm që është duke shkuar, konsideroj se as 20 për qind të planit nuk do të mund ta realizojë”, ka thënë për “Epokën e re”, Selmanaj.


Në vazhdim Selmanaj ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës së bashku me trupat punuese duhet të mobilizohet që ta kryejë detyrën e tij. Ai ka thënë se fajin për këtë mosefikasitet të Kuvendit e ka edhe Qeveria e Kosovës, e cila është sponsoruesja kryesore e projektligjeve. “Nuk është faji vetëm i Kuvendit për sa i përket miratimit të ligjeve, sepse kemi edhe një neglizhencë të theksuar nga ana e Qeverisë së Kosovës si sponsoruesja kryesore e projektligjeve. Vonesat e Qeverisë janë duke ndikuar edhe në Kuvend, por ky institucion assesi nuk bën të dorëzohet, sepse e ka të drejtën të marrë nisma legjislative pa e pyetur Qeverinë. Këtë vit nuk kemi asnjë nismë legjislative në krahasim me vitin e kaluar, ku kemi pasur dy nisma legjislative”, është shprehur Selmanaj, duke shtuar se deputetët ende nuk e kanë kuptuar se kanë të drejtë të marrin nisma të tilla. Vonesat në konstituimin e institucioneve, Selmanaj ka thënë se nuk mund ta amnistojnë Kuvendin e Kosovës në kryerjen e detyrave.

Më tutje, Selmanaj ka thënë se miratimi kaq i vogël i ligjeve mund t’i shtyjë deputetët e Kuvendit që në të ardhmen të miratojnë ligje “shkel e shko”. “Kam drojën se mund të ketë presione nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe qarqe të ndryshme që në gjashtëmujorin e dytë të punës së Kuvendit të miratohen ligje vetëm sa për sy e faqe”, ka deklaruar Selmanaj. Ai ka thënë se njëra prej vërejtjeve në Raportin e Progresit të Komisionit të Bashkimit Evropian për këtë vit do të jetë miratimi i një numri të vogël të ligjeve.


Gjashtë ligjet e miratuara

Kuvendi i Republikës së Kosovës që nga konstituimi ka miratuar: Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Tregtinë e Brendshme, Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, Ligjin për Shërbimet e Sigurisë Private, Ligjin për Efiçiencën e Energjisë dhe Ligjin për Gjendjen Civile.


Edhe deputetët e kanë të drejtën e nismave legjislative

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ka të rregulluar edhe çështjen se kush ka të drejtën të ndërmarrë nisma legjislative. Ajo këtë të drejtë ua atribuon presidentit, deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës. “Nismën për të propozuar ligje mund ta marrë presidenti i Republikës së Kosovës nga fushëveprimtaria e saj/tij, Qeveria, deputetët e Kuvendit ose, më së paku, dhjetë mijë qytetarë, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj”, thuhet në nenin 79 të Kushtetutës së Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)