17 Tetor 2021

Kuvendi me 22 korriku nxjerrë deklaratë rreth GjND-së

Prishtinë, 20 korrik - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për dy seancat e radhës, të cilat do të mbahen më 22 dhe më 26 korrik.

Në seancën e 22 korrikut, pas pikave të zakonshme të rendit të ditës së seancave të rregullta parlamentare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare në adresë të Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë në lexim të dytë: Projektligjin për gjykatat, Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligjin për Avokatin e Popullit, Projektligjin për grevat, Projektligjin për miniera dhe minerale dhe atë për Inspektoratin e Tregut dhe mbikëqyrjen inspektuese.

Gjithashtu, në këtë seancë do të shqyrtohen edhe disa raporte dhe rekomandime. Deputetët do të shqyrtojnë Raportin e punës të Avokatit të Popullit për vitin 2009, Raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit dhe atë të Institutit Gjyqësor të Kosovës, Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Kompanisë së ujësjellësit rajonal ”Prishtina”, Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Raportin e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Do të shqyrtohen, ndërkaq, edhe Rekomandimi i Komisionit për Programin Kombëtar të Shkencës, Rekomandimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me pasqyrat e audituara të Trustit të Kursimeve Pensionale për vitin 2009 dhe propozim-vendimi i Qeverisë së Kosovës për emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Privatizimit.

Në seancën e së hënës, Kuvendi pritet të nxjerrë një deklaratë rreth opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe do ta shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport e Telekomunikacion, në lidhje me propozimin e Strategjisë për Privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës.

Gjatë mbledhjes së sotme, Kryesia shqyrtoi dhe disa kërkesa, mocione dhe rekomandime, të ardhura nga komisione, grupe parlamentare dhe deputetë. Kështu, u vendos që kërkesa e deputetit Emrush Xhemajli për ta ftuar në Interpelancë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe propozimi i Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit lidhur me aspektet e funksionimit të Kuvendit, sipas Rregullores së re të Kuvendit, të diskutohen dhe procedohen në shtator. 

Rreth kërkesës së Grupit Parlamentar të SLS-së për formimin e Komisionit legjislativ-gjuhësor u dakordua që t’iu kërkohet sponsoruesve të ligjeve që të sillen ligje të përgatitura mirë dhe të funksionalizohet më tej shërbimi i gjuhësisë e standardizimit formalo-juridik.

Sa i përket kërkesës së deputetit Hydajet Hyseni, për riprocedim të Projektligjit për ish të burgosurit politikë, Kryesia vendosi që projektligji t’u shpërndahet deputetëve, meqë ka kaluar më tepër se një vit në pritje të deklaratës për implikimet eventuale buxhetore.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Tetor 2021

 - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Auditorja e Përgjithshme e ZKA-së raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me shqyrtimin e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHwB Kosova organizon Ilucidare Playground: “Guralec: Moving Rocks” dhe Konferencën “Përtej mureve dhe bindjeve”. Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë