07 Maj 2021

Kuvendi mblidhet të enjten në seancë të rregullt plenare

Prishtinë 30 prill - Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten do të mblidhet në seancë të rregullt plenare.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryekuvendari Glauk Konjufca.

Në seancën e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të debatojnë lidhur me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë së virusit COVID-19.

Pas debatit, pikë e radhës do të jetë shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2024, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, dhe vendosi të bëjë shpalljen e konkursit për dy pozita të lira në këtë Këshill nga radhët e komuniteteve joshqiptare, si dhe shpalljen publike për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.

Kryesia diskutoi gjithashtu edhe lidhur me formimin e delegacioneve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare për Legjislaturën VIII dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. ​


Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Maj 2021

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit takohet me mbrojtësit e viktimave. (Pallati i Drejtësisë, ora 9:30)

- Lëvizja FOL organizon tryezë diskutimi me ç’rast publikon raportin “Realizimi i Planit të Punës së KPK-së dhe PSh-së për vitin 2020”. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton Propozim-vendimit e Avokatit të Popullit lidhur me zgjedhjen e 5 zëvendësve të Avokatit të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
    
- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit viziton Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve. (Strehimorja, Ulpianë, ora 10:45)
    
- KDI mban konferencë për medie ku do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit mbi transparencën e komunave të Kosovës në prokurim publik, për vitin 2020. (Zyret e KDI-së, ora 11:00)
    
- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit takohet me Njësitin Kundër Dhunës në Familje-Policia e Kosovës. (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ora 11:45)
    
- Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, do ta ndajë çmimin “Evropiani i Vitit 2021”, i cili jepet për të gjashtën herë radhazi nga BE-ja. (Shtëpia e Evropës, ora 13:00)