29 Mars 2024

Kuvendi kërkon përshpejtim të rigjykimit të Haradinajt

Prishtinë, 31 maj - Proces të qartë gjyqësor, fer dhe të shpejtë nga Tribunali i Hagës në mënyrë që Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij të kthehen të pafajshëm në Kosovë dhe përkrahje institucionale për ta, është kërkuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të martën, në të cilën po debatohet për rastin e rigjykimit të Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po debatojnë sipas kërkesës së parashtruar nga deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi i mbështetur edhe nga 40 deputetë të tjerë, ndërkaq të gjitha grupet parlamentare kanë konsensus në mbështetje të Haradinajt dhe në pafajësinë e tij dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Ahmet Isufi si kërkues i kësaj seance ka thënë se mungesa e Haradinajt në skenën politike në këto momente kruciale, po tregohet si hendikep për vendin, përderisa ka thënë se është bërë shumë pak nga institucionet e Kosovës për mbrojtjen e ti.

“Konsiderojmë se është e nevojshme që Kuvendi sot të nxjerrë rekomandime për rrjedhën e procesit gjyqësor. 1. Duke besuar në pafajësinë e Haradinajt dhe bashkëluftëtarët e tij dhe luftën e drejtë të UÇK-së, Kuvendi kërkon nga Tribunali i Hagës që procesi gjyqësor të jetë i qartë, fer dhe i shpejtë, në mënyrë që Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij të kthehen sa më shpejtë në Kosovës. 2. Duke besuar në drejtësinë ndërkombëtare, Kuvendi kërkon nga Qeveria dhe institucionet tjera vendore dhe ndërkombëtare që të japin përkrahje institucionale për Haradinajn dhe bashkëluftëtarët e tij”, ka thënë Isufi.

Kryeministri Hashim Thaçi në emër të Qeverisë së Kosovës e ka mbështetur debatin për Haradinajn, duke thënë se ky nuk është debat për një individ apo për një kryetar partie, por për një luftë të drejtë çlirimtare, e cila u zhvillua në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.

“Zoti Haradinaj dhe Kosova kanë qenë shembulli më i mirë të bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare në rajon. UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë zhvilluar luftë të drejtë. Qeveria e Kosovës dhe unë edhe më parë kemi qenë të gatshëm dhe kemi kërkuar të na krijohet ajo rrethanë që të japin mbështetjen dhe sigurinë juridike që lejon ligji dhe Kushtetuta e Kosovës. Besojmë në pafajësinë e plotë të Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, besojmë edhe në drejtësinë ndërkombëtare për një proces fer, transparent dhe të drejtë. Prandaj edhe si Qeveri presim që ai të shpallet i pafajshëm dhe t’i kthehet vendit, familjet dhe politikës”, ka thënë Thaçi.

Kurse, kryeparlamentari Jakup Krasniqi Jakup Krasniqi ka thënë se debati ynë sot mendoj unë duhet të fillojë dhe të mbarojë i mbështetur në tri premisa kryesore: përcaktimin e qartë dhe të vendosur për bashkëpunimin e sinqertë dhe të plotë me Tribunalin e Hagës, besimin e palëkundur në drejtësinë ndërkombëtare dhe vlera çlirimtare dhe pastërtia e luftës çlirimtare.

Ai ka thënë se ish-komandantët e UÇK-së Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj kanë qenë dëshmuesit e shkëlqyer të pastërtisë së luftës së UÇK-së dhe pastërtisë së tyre personale.

“Proceset e tilla të së kaluarës, të sotmës, apo të të ardhmes, mund të nxjerrin ndonjë faj personal, por kurrë nuk do të dëshmojnë karakterin kriminal të UÇK-së. Eshtë dëshirë e ligjshme e deputetëve, përfundimi sa më i shpejtë i procesit kundër Haradinajt me bashkëpunëtorë, sepse të gjithë besojmë në pafajësinë e tij, sepse si në luftë, si në paqe i duhet Kosovës, por Kuvendi nuk i prek kufijtë e drejtësisë ndërkombëtare”, ka thënë Krasniqi.

Grupet parlamentare i kanë dhënë mbështetje të pa rezervë debatit për rastin e Haradinajt, ndërkaq kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuuar në mënyrë institucionale për mbrojtjen e tij. Ata kanë kërkuar nga Gjykata e Hagës që të mos vonohet në procesin e rigjykimit ngase `drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar’.

Adem Grabovci në emër të GP të PDK-së, ka kërkuar nga organet ndërkombëtare të drejtësisë që të mos përdorin standarde të dyfishta, por të ketë një proces fer dhe të paanshëm, ndërkaq Ismet Beqiri në emër të LDK-së ka shprehur bindjen e thellë në pafajësinë e Haradinajt.

“Duke u nisur nga fakti se Haradinaj është një ndër komandantët e shquar të luftës së drejtë të UÇK-së, duke u nisur nga fakti se ai si deputet, si kryeministër me kontribut të madh shtet-ndërtues dhe me gatishmërinë për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës ka dhënë shembullin e njeriut shumë të përgjegjshëm, duke u nisur nga fakti se ai u shpall i pafajshëm dhe për herë të dytë po qëndron në Hagë, LDK pret njëkohësisht dhe shpreh bindjen e thellë se gjykimi ndaj Haradinajt do të jetë i drejtë, duke besuar në punën dhe profesionalitetin e këtij tribunali”, ka thënë Beqiri.

Kurse Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se tendenca për balancim të fajësisë nga palët ndërluftuese krijon padrejtësi.

“Këso situatash nuk i kontribuojnë drejtësisë në Kosovë. Kjo situatë u krijua vjet pas luftës si rezultat i moskujdesjes për ruajtjen e vlerave të luftës dhe si një përpjekje e Serbisë për ta paraqitur luftën tonë si të padrejtë”, ka thënë Selimi, duke shtuar se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë as minimalen në mbrojtjen e çlirimtarëve sa herë ata akuzohen padrejtësisht.

Ardian Gjini nga AAK-ja ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të bëhet apel që të mos vonohet Tribunali i Hagës, përderisa ka falënderuar gjithë grupet parlamentare për mbështetje të Haradinajt, duke thënë se kjo është dëshmi që Haradinaj nuk është vetëm i AAK-së, por është i gjithë Kosovës.

Kurse, Myzejene Selmani në emër të Koalicionit për Kosovë të Re ka shprehur bindjen e thellë në pafajësinë e luftës së UÇK-së dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë dhe po ashtu ka shprehur besimin në objektivitetin e Gjykatës Hagës.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Limaj i cili po ashtu është përballur me Gjykatën e Hagës, ka thënë se nuk mjafton vetëm të shprehet besimi në drejtësinë ndërkombëtare, por duhet një mbështetje e fuqishme institucionale për Haradinajn dhe bashkëluftëtarëve të tij, ndërkohë ka kërkuar që të krijohet një fond financiar në mbështetje të tyre.

Ramush Haradinaj në mars 2005 si kryeministër i Kosovës ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës dhe ai kishte dhënë dorëheqje për t’iu dorëzuar këtij tribunali. Pas një procesi gjyqësor maratonik, më 3 prill 2008, ai u shpall i pafajshëm nga të gjitha pikat e aktakuzës dhe u kthye i lirë në Kosovë. Por më 21 korrik 2010, një ditë para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, Dhoma e Apelit vendosi për rigjykim të Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj për disa pika të aktakuzës, mirëpo gjykimi nuk ka filluar ende.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)