26 Shtator 2021

Kuvendi i Kosovës shënoi Ditën Ndërkombëtare të fëmijëve

Prishtinë, 31 maj - Deputetët kanë pritur një grup fëmijësh me nevoja të veçanta nga Komuna e Mitrovicës, Ferizajt, Podujevës dhe Prishtinës, si dhe përfaqësues të OJQ-ve, të cilët merren me çështjet që prekin këtë grup të popullatës .

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe Java e personave me nevoja të veçanta, e cila shënohet në mbarë botën, është shënuar sot edhe në Kuvendin e  Republikës së Kosovës, mbështetur nga UNDP-ja.

Kësaj iniciative i janë bashkuar përveç shefit të kabinetit të  Kryetarit dhe këshilltarit të lartë politik, Mehmet Hajrizi, edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe përfaqësues të Komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës së Kuvendit, të prirë nga deputetët, anëtarë të këtyre komisioneve: Flora Brovina, Drita Kadriu, Hydajet Hyseni-Kaloshi, Nurishahe Hulaj dhe Qamile Morina.

Ata, kanë  pritur një grup të fëmijëve me nevoja të veçanta nga Komuna e Mitrovicës, Ferizajt, Podujevës dhe Prishtinës, si dhe përfaqësues të OJQ-së ‘Little people of Kosova’nga Mitrovica dhe Podujeva, OJQ-së ‘Handifer’ nga Ferizaj, përfaqësues të shkollës fillore Bedri Gjina, nga Mitrovica, si dhe nxënës dhe përfaqësues të paraleles turke në Prishtinë. Përfaqësuesit ishin të të gjitha komuniteteve të Kosovës , të cilët merren me çështjet e këtyre fëmijëve. 

Shefi i kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Mehmet Hajrizi duke përshëndetur mysafirët dhe duke ju uruar mirëseardhje në ambientet e Kuvendit, vlerësoi se në këtë periudhë fëmijët kanë një gjendje të re duke  bërë një krahasim me periudhën e kaluar.

 “Ju mund të kryeni shkollë, ju mund të jeni të dobishëm për familjen tuaj dhe vendin. Tashmë juve ju mbrojnë ligjet, ndërsa në të ardhmen do të gjeni mbështetje edhe më të madhe. Keni një jetë përpara, me plot suksese. Dhe, duhet të jeni të lumtur që keni një të ardhme të ndritur. Kosova ju ofron mbrojtje dhe lumturi.”, tha me këtë rast Hajrizi, ndërsa pastaj foli para të pranishmëve për punën e Kuvendit të Kosovës. 

“Këtu mblidhen përfaqësuesit që i zgjedh populli, në mënyrë që të nxjerrin ligje, të cilat e rregullojnë jetën dhe punën”, theksoi Hajrizi. 

Deputetë  të Kuvendit gjatë diskutimit të tyre me fëmijët dhe përfaqësues të OJQ-ve dhe prindër të fëmijëve me nevoja të veçanta theksuan se do të hartojnë ligje të cilat atyre do t’u mundësojnë kushte sa më të mira për të gjithë qytetarët, ne veçanti për fëmijët me nevoja të veçanta.

Deputetët theksuan se në këtë periudhë janë nxjerrë disa ligje që avancojnë Kosovën në realizimin e të drejtave të fëmijëve, por natyrisht duke mos munguar tutje synimi për të nxjerrë sa më shumë ligje, në mënyrë që fëmijët t’i gëzojnë të drejtat të cilat i kanë të gjithë fëmijët e botës.

Ata, duke përmendur nismën e trajtimit për fëmijët me nevoja të veçanta që ka filluar të praktikohet në shkollën “Ismail Qemajli” në Prishtinë, theksuan se ka angazhime për nisma tjera të tilla. Deputetët duke uruar fëmijët për një integrim dhe rehabilitim sa më të mirë në shoqëri dhe në shkolla, siguruan fëmijët se do të përpiqen që të nxjerrin ligje sa më të mira, në mënyrë që këtyre fëmijëve  t’u sigurohet një fëmijëri e sigurtë, në mënyrë që të ndjehen të barabartë me fëmijët tjerë që jetojnë në Kosovë. 

Përfaqësues të OJQ-ve, fëmijë me nevoja të veçanta dhe prindër të këtyre fëmijëve shtruan pyetje të shumta rreth çështjeve praktike për deputetë të Kuvendit siç janë: qasja në institucionet e ndryshme, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës, sistemin e edukimit, infrastruktura rrugore dhe asistenca sociale në ndihmë familjeve të me anëtarë që kanë nevoja të veçanta. 

Me këtë  rast përfaqësues të këtyre OJQ-ve theksuan se vërehet një  përparim i dukshëm në avancimin e fëmijëve me nevoja të  veçanta, por siç u shprehën ata, duhet bërë akoma më  shumë për këta fëmijë. “Akoma, ka edhe shumë fëmijë që janë të mbyllur në shtëpi. Ekziston papunësi e madhe e personave me aftësi të kufizuar. Qeveria dhe Parlamenti duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje këtyre personave. Këta fëmijë duhet të jenë prioritet për Parlamentin”, theksuan përfaqësues të OJQ-ve.

Ndërsa, Nora Sahatçiu, përfaqësuese e UNDP-së vlerësoi se  Organizatat e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim qëndrojnë edhe më  tej në përkrahje të Kuvendit të Kosovës, në  shtyrjen përpara të çështjeve zhvillimore të cilat kontribuojnë përfshirje më të madhe sociale dhe qasje më të mirë për të gjithë, pa dallim në shërbimet  e edukimit, të shëndetësisë, të punësimit, si dhe në krijimin e një ambient të shëndoshë.  

Gjatë  këtij takimi, nuk munguan as recitimet e fëmijëve para deputetëve.

Ndërsa, këta fëmijë me nevoja të veçanta kishin përgatitur dhurata speciale për Kuvendin e Kosovës, kryetarin e Kuvendit dhe deputetët. Me rastin e ditës së Fëmijëve, ata kishin përgatitur një  ekspozitë modeste me piktura. 

Për fëmijët me nevoja të veçanta u përkujdesen edhe parlamentarët, duke shpërndarë disa dhurata simbolike për ta.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shtator 2021

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në edicionin e tretë "Race for the Cure" të organizuar nga shoqata e pacientëve të kancerit të gjirit Renesansa. (Ura e Arastës, ora 10:00)

- Federata e Pingpongut organizohen 2 xhirot e radhës në Superligën e Meshkujve dhe 2 xhiro në Superligen e femrave. (Shkolla 'Motrat Qiriazi' në Prizren, ora 10:00)

- Mbahet edicioni i trete i Race for the Cure Kosova 2021, në Prizren. (Sheshi i Lidhjes se Przrenit, ora 10:00)