28 Mars 2024

Kuvendi i Kosovës nxjerr deklart rreth opinionit të GJND-së

Prishtinë, 23 korrik - Duke çmuar lart opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të shpallur më 22 korrik 2010, për ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe në mbështetje të nenit  65.1  të Kushtetutës  e në nenin 6.1  të Rregullores së vet të Punës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e veçantë të datës 23 korrik 2010, miratoi solemnisht këtë.


DEKLARATË


Kuvendi i Republikës së Kosoves shpreh kënaqësinë dhe aprovimin për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe zotohet për respektimin e tij.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me profesionalizëm të lartë dhe paanshmërisht ka rikonfirmuar respektimin e të drejtës ndërkombëtare me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke i dhënë vulën e ligjshmërisë vullnetit të shprehur të qytetarëve të Kosovës dhe të drejtës së tyre për vetëvendosje.

Duke i dhënë legalitetin ndërkombëtar Deklaratës së  Pavarësisë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ka hapur rrugë të reja Republikës së Kosovës drejt njohjes së gjerë ndërkombëtare, drejt marrëdhënieve me vende dhe popuj anekënd botës, drejt bashkëpunimit rajonal dhe drejt zhvillimit e integrimeve euroatlantike.

Kuvendi i Republikës së Kosoves shpreh bindjen se vendimi historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në Republikën e re të Kosovës, por në gjithë rajonin tonë, sepse Kosova do të jetë e përkushtuar fuqishëm të respektojë të drejtën ndërkombëtare, të ndjekë besnikërisht politikat e bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit e dialogut.

Shprehim gatishmërinë tonë të sinqertë për të vendosur marrëdhënie të mira me Republikën e Serbisë në të mirë të të dy popujve tanë dhe të stabilitetit e prosperitetit politik, social dhe ekonomik të rajonit tonë.

Kuvendi i Republikës së Kosoves përshëndet ftesën e djeshme të Bashkimit Evropian për fillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, në dobi të zgjidhjes së çështjeve teknike dhe të interesit të përbashkët e të qytetarëve të të dyja vendeve, duke përjashtuar njëkohësisht çfarëdo mundësie të negociimit të statusit politik të Kosovës, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së saj.

Kuvendi i Republikës së Kosoves falënderon të gjitha shtetet që e kanë përkrahur Kosovën në të gjitha proceset politike dhe sidomos për kontributin e tyre në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke u zotuar se Kosova do ta arsyetojë plotësisht besimin ndërkombëtar.

Shprehim mirënjohjen tonë dhe të të gjithë popullit të Republikës së Kosovës për institucionet ndërkombëtare, komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi dhe sidomos për SHBA, BE, dhe të gjitha shtetet veç e veç që e kanë njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, me bindjen se edhe shtete të tjera do ta njohin Republikën e Kosoves, si anëtare të ardhshme të bashkësisë së  kombeve të lira dhe demokratike.

Kuvendi i Republikës së Kosoves me këtë rast solemn i shpreh edhe njëherë mirënjohjen e thellë gjithë prezencës ndërkombëtare në Kosovë, civile dhe asaj të sigurisë, duke vlerësuar lart kontributin e saj.

Duke pasur parasysh konfirmimin ligjor ndërkombëtar të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, i bëjmë thirrje Bashkimit Evrpian për unifikim të plotë për Kosovën, por edhe shteteve që kanë hezituar ta njohin shtetin tonë, ta bëjnë këtë në emër të paqes e zhvillimit, në emër të marrëdhënieve të mira e miqësore midis Kosovës dhe popullit të saj me vendet dhe popujt e botës, në emër të së drejtës legjitime të Kosovës për të qenë anëtare e denjë e familjes së madhe të Kombeve të Bashkuara.

Kuvendi i Republikës së Kosoves i kërkon Qeverisë të angazhohet intensivisht në aktivitetin politik e diplomatik të njohjes së gjerë ndërkombëtare të republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës edhe njëherë konfirmon zotimin e saj të shprehur në Deklaratën e Pavarësisë për të qenë një shtet demokratik, laik dhe multietnik, i udhëhequr nga parimet e mosdiskriminimit dhe mbrojtes së të drejtave të të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe të krijojë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

Institucionet e Republikës së Kosoves do të jenë të përkushtuara për përgatitjen e shtetit tonë për integrimet euroatlantike dhe për t’i respektuar e përvetësuar të gjitha vlerat evropiane e euroatlantike.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)