19 Prill 2024

Kuvajti shumë shpejt pritet ta njohë shtetin e Kosovës

Kuvajt Sity, 25 maj - Delegacioni parlamentar i Kosovës, i prirë nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, po qëndron në një vizitë zyrtare në  Kuvajt.

 

Delegacioni, në  përbërje të të cilit janë edhe anëtarët e Kryesisë, Xhavit Haliti, Naim Maloku e Ibrahim Gashi, shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Mehmet Hajrizi dhe këshilltari për protokoll, Skënder Reçica është pritur sot nga Princi i Kuvajtit, Shejh Sabah El Ahmed El-Xhabir Es-Sabah, kryministri,  Nasir El- Muhamed El-Ahmed Es-Sabah dhe zoti Xhasim  Muhamed El-Harrafi, kryetar i Kuvendit Kombëtar.
 
Kryeparlamentari Krasniqi i ka falënderuar mikpritësit për solidarizimin e Kuvajtit me Kosovën, gjatë dhe pas lufte, për mbështetjen me rezolutat e Organizatës së Konferencës Islamike, njëra për dënimin e akteve të dhunshme të shtetit të Serbisë kundër popullit  shqiptar të Kosovës dhe  e fundit, e miratuar në Dushanbe të Taxhikistanit, pastaj për anëtarësimin e Kosovës në FMN, në BB, rindërtimin e pasluftës etj.

Krasniqi i njoftoi ata me çështjen e Kosovës, zgjidhjen sui generis të saj, njohjen e shpejtë ndërkombëtare të pavarësisë, zhvillimet aktuale dhe synimet perspektive të shtetit të ri. 

Ne presim qëndrim korrekt të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, tha ai, pasi Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Krasniqi i kërkoi Kuvajtit njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, për ta bërë të mundur kështu hyrjen e saj në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Republika e Kosovës dëshiron të thellojë marrëdhëniet me Kuvajtin mik në të gjitha fushat, si partner strategjik, në dobi të interesave e të bashkëpunimit reciprok dhe të miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë. 

Udhëheqësit kuvajtianë, shprehën kënaqësinë për vizitën dhe për të arriturat e Kosovës e për njohjen e saj ndërkombëtare, duke premtuar se edhe Kuvajti do ta bëjë shpejt atë. Por siç thanë ata, deri atëherë marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona duhet të thellohen. 

Duke shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën në shumë plane, Emiri i Kuvajtit, Shejh Sabah El Ahmed El-Xhabir Es-Sabah, kërkoi takim të menjëhershëm të delegacionit me kryetarin e Fondit kuvajtian për Zhvillim, i cili do të realizohet në kuadër të vizitës, ditën e nesërme. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)