19 Janar 2022

Kurti u takua në Bruksel me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi

Bruksel, 7 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është takuar në Bruksel me Komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Në këtë takim u bisedua mbi marrëdhënien ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në kontekstin e marrëveshjes kontraktuale të Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, me theks te angazhimi i vazhdueshëm dhe progresi që Kosova ka bërë për reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Kryeministri Kurti e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian për reforma dhe përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së  Kosovës.

Në takimin që i paraprinë mbledhjes së katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, ishin edhe Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj.


 


 


 

 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 janar 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shitjen e Banesave për të cilat ekziston e Drejta Banesore, shqyrton raportin e grupit punues në lidhje me zbatimin e mbikëqyrjes së Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media në të cilën do të prezantohet analiza me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft raportin e monitorimit të Ligjit për Shëndetin Mendor dhe diskuton për punën e Këshillit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. . (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike inicon procedurat lidhur me auditimin e raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)
 
- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- The British School of Kosova organizon shfaqjen edukativo - arsimore për fëmije  "Mushkonjat dhe Princi". (Teatri "Faruk Begolli" në Kolegjin AAB, ora 11:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës mban ceremoninë e themelimit të 22 vjetorit të saj në të cilën do të marrin pjesë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe drejtues nga odata ekonomike, përfaqësues nga institucionet ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga organizatat e kontabilitetit. (Qendra e Shërbimit për Tatimpagues, ish-ndërtesa e Gërmisë, sheshi Skënderbeu, ora 14:00)

- Në kuadër të manifiestimit 'Flaka e Janarit' hapet ekspozitë memoaresh e kujtimesh "Dhoma e Kadriut, Jusufit dhe Bardhoshit". (Muzeu Etnologjik i qyteti të Gjilanit, ora 16:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj tubim me qytetarë ku do të shpaloset Manifesti - dokumenti i parë i partisë. (Hotel Grand, ora 17:00)