05 Dhjetor 2022

Kurti takon drejtues të kompanive të sektorit të TI-së në Silicon Valley

San Francisco, 10 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me drejtues të lartë të disa kompanive të njohura të sektorit të teknologjisë së informacionit, në qendrën e famshme botërore të teknologjisë së informacionit, në Silicon Valley të Kalifornisë. 

Kryeministri i ka informuar ata për potencialin e lartë për rritjen e sektorit të TI-së në Kosovë, planet e projektet tona qeveritare, si dhe ngritjen e indikatorëve pozitivë të vendit tonë sa i përket sundimit të ligjit dhe demokracisë e lirisë.  

Takimin e parë e ka zhvilluar me kompaninë, e cila misionin kryesor e ka krijimin e rrjeteve njerëzore e profesionale me qëllim të punësimit: LinkedIn. Në zyrën qendrore të Linkedin, me drejtuesit e kompanisë ka biseduar për mundësitë që ofron Republika e Kosovës, me pozitën gjeografike, stabilitetin institucional, inovacionin lokal, shpirtin ndërmarrës dhe fuqinë punëtore të re dhe të talentuar. 

Ai i ka njoftuar drejtuesit e LinkedIn për cilësitë atraktive të punëtorëve të rinj në Kosovë: 2 mijë studentë diplomojnë në sektorin e TI-së në Kosovë e Qeveria ndihmon në trajnimin edhe të 4 mijë të tjerëve. Rinia përgjithësisht flet anglisht, kurse diaspora është e madhe dhe kontribuon shumë për ekonominë e vendit. 

Kryeministri Kurti ka thënë se aktualisht, 10% të kompanive në sektorin e TI-së janë në pronësi të huaj e 21% në pronësi të përzier ndërkombëtare me vendore në Kosovë. Shtimi i investimeve në këtë sektor, sidomos nga ana e kompanive amerikane, do të krijojë vende të reja të punës, të cilat janë edhe cilësore, edhe të qëndrueshme për qytetarët tanë, ka theksuar ai.  

Pas takimit me LinkedIn, kryeministri ka vazhduar me një vizitë te kompania VMWare, një lidere në fushën e "cloud computing" dhe "virtualization technology", që tashmë përdoret gjerësisht në Kosovë. Aktualisht, VMWare ka 35 mijë të punësuar, prej të cilëve 25 mijë janë në vende të huaja. 

Kryeministri Kurti i ka informuar përfaqësuesit e kësaj kompanie për veprimet konkrete që Qeveria jonë ka ndërmarrë për ta bërë Kosovën kontraktuese të ardhshme të shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe të BPO hub të Evropës Juglindore. 

Pas këtij takimi, kryeministri Kurti është pritur nga drejtuesit e dy firmave të investimit, Sumeru Equity Partners dhe Andreessen Horowitz. Gjatë këtyre vizitave i ka informuar për disa nga arsyet se pse duhet të investohet në Kosovë: pozita e favorshme gjeografike për të ofruar shërbime për mbi 70 milionë konsumatorë në Evropën Juglindore, fuqia punëtore profesionale, shpenzimet e ulëta operacionale për kompanitë e TI-së, themelimi i Gjykatës Komerciale, mbështetja e ofruar nga Qeveria në zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TI-së nëpërmjet agjendës gjithëpërfshirëse digjitale etj. 

Në takimin me drejtuesit e Qendrës Miller për Ndërmarrësi Sociale (Miller Center for Social Entrepreneurship), kryeministri Kurti ka folur për të arriturat gjatë një viti qeverisje dhe kushtet e përmirësuara për investime dhe biznese të huaja, si dhe kanë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet Qendrës Miller dhe Republikës së Kosovës.

 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2022 - Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, do të nënshkruajë marrëveshjen me partneritet publiko privat për ndërtimin e tri shkollave të reja dhe ofrimin e shërbimeve të mirëmbajtjes dhe operimit në Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Vjetër e Komunës së Prishtinës, ora 9:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Colombus organizojnë tryezë të rrumbullakët, ku do të diskutohet lidhur me “Reforma në Drejtësi”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të bëjë lansimin e Protokollit Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022 interviston Njazi Thaçin, Luigj Imerin, Perparim Kabashin, Nagip Krasniqin, Faruk Hajrizin, Rrezarta Pllanën, Hysen Fazliun, Musa Misinin, Skender Hazirin, Ali Hamitin, Izet Rushitin dhe Krenar Bujupin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Kabineti i Presidentes,ora 12:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-it dhe UN Volunteers shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. (Kino Armata, sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantohet raporti me titull “Parashkrimi i Korrupsionit”, i cili është rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bënë sistemit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Republikës së Kosovës. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, do të hapë ekspozitën e të burgosurve rreth rasteve të Dhunës në Familje. (Hollin e Ministrisë së Drejtësisë, ish objekti Rilindja, ora 13:00)

- Këshilli Rinor Kosovar në bashkëpunim me Kuvendin e të Rinjëve të Ferizajt dhe Komunën e Ferizajt do të mbajë panelin e diskutimit dhe aktivitetin ‘Dita e Vullnetarizmit’ me qëllim të promovimit dhe diskutimit rreth punës vullnetare, nevojave të vullnetarëve dhe aktiviteti i tyre në këtë komunë. (Salla e Kuvendit Komunal në Ferizaj, ora 14:00)

- Lëvizja FOL në kuadër të  “Javës Kundër Korrupsion 2022” mban konferencë për media me ç’rast do të bëjë publikimin e raportit "Masat disiplinore kundër nëpunësit civil për korrupsion dhe shkelje etike". (Hotel Sirius, ora 15:15)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pret në takim Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee. (Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ora 15:45)            


- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Objekti i KQZ-së, ora 16:30)