13 Maj 2021

Kurti dërgoi në Kushtetuese përgjigjet në kërkesën e deputetëve të pakicës serbe

Prishtinë, 14 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar sot kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama- Hajrizi, një letër përgjigje në kërkesën e parashtruar nga 11 deputetë të Republikës së Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës nr.08/V-005 të datës 22.03.2021.

Qeveria e Kosovës, në komentet e saj, konsideron se duhet referuar dispozitave kushtetuese të cilat përcaktojnë procedurën për zgjedhjen e qeverisë, dhe atyre që garantojnë të drejtat e pakicave për përfaqësim në kuadër të saj, me qëllim që të vlerësohet nëse vendimi i kontestuar është nxjerr sipas procedurës së paraparë më kushtetutë dhe nëse i njëjti është për nga përmbajtja në përputhje me Kushtetutën.

Po ashtu, Qeveria rithekson se përfaqësuesit e pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës janë konsultuar, dhe propozimi i tyre është marrë parasysh në lidhje me emërimin e ministrit që përfaqëson komunitetin serb në Qeverinë e Kosovës.

Në këtë rast, Qeveria e Kosovës në argumentet e saj, konsideron se përfaqësimi i garantuar nga Kushtetuta e Kosovës për përfaqësuesit e pakicës serbe është respektuar me rastin e zgjedhjes së Qeverisë, rrjedhimisht, zgjedhja e saj është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në letrën e saj, Qeveria e Kosovës kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të nxjerr aktgjykim me të cilin e shpall kërkesën të pranueshme, të konstatojë se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës  për zgjedhjen e Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe të refuzojë kërkesën për vendosjen e masave të përkohshme.

Në fund, Qeveria e Kosovës konsideron se kjo çështje nuk ka asnjë paqartësi, andaj kërkesa për mbajtjen e seancës dëgjimore nuk është e justifikuar dhe se e njëjta duhet të refuzohet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Maj 2021

- Me rastin e shënimit të 40 vjetorit të rënies së heronjve, Nebih e Tahir Meha, Komuna e Skenderajt organizon ceremoninë e zbulumit të busteve të heronjve: Emin Latit, Nebih, Tahir e Beqir Meha. (Oborri i Kullës "Tahir Meha' në Prekaz, ora 15:00)

- Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani - Sadriu pret Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor. (Kabineti i Presidentes, ora 16:00 - Mediat e interesuara për përcjelljen e takimit dhe të konferencës duhet të jenë të pranishme në Presidencë në orën 15:20)