Kryesia përcakton rendin e ditës për tri seancat e Kuvendit
Prishtinë, 21 qershor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare ka përcaktuar rendi i ditës për tri seancat e radhës të Kuvendit të Kosovës, të cilat parashihen të mbahen më 25 qershor dhe me një dhe tetë korrik.
Në seancën e 25 qershorit, pas pikave të zakonshme të rendit të ditës së seancave të rregullta parlamentare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike, Projektligjin për tatimin e normës së akcizës në Kosovë dhe Projektligjin për Administratën Tatimore të Kosovës. Në të njëjtën seancë, ndërkaq, do të shqyrtohet edhe Rekomandimi i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Natyrës.
Për seancën e një korrikut është paparaparë të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit, kurse për herë të dytë të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ujitjen e Tokave Bujqësore dhe Projekt-Kodi i Drejtësisë për të mitur. Do të shqyrtohet ndërkaq edhe Rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Procedurën Administrative.
Në po këtë seancë do të shqyrtohen: Raporti vjetor i Rregullatorit për Ujëra e Mbeturina, për vitin 2009, Raporti për funksionimin e sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik të Kosovës (për vitin 2009), Propozim vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Kryetarit dhe të anëtarëve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Propozim vendimit tjetër i ekzekutivit të vendit për emërimin e anëtarëve t Bordit Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, si dhe Rekomandimi lidhur me nominimin për Bordin për Ankesa të Medieve (BAM) nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Seanca e tetë korrikut është rezervuar për shqyrtimin e parë të Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2010.
Në Kryesi është arritur pajtimi që në këto seanca të radhiten edhe projektligje të tjera, të cilat gjenden në procedurë parlamentare, në mënyrë që të miratohen gjatë këtij sesioni të Kuvendit të Kosovës.
Kryesia, ndërkaq, ka vendosur që të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që ta procedojë sa më parë për miratim në Kuvend të Projektligjit për qytetin e Prishtinës.
Sa i përket kërkesës së deputetit Nait Hasani për debat, për dënimin e krimeve të komunizmit në Kosovë, edhe në këtë takim nuk është arritur ndonjë vendim i prerë, pasi që është kërkuar që të dihet qartë se çka dëshirohet, por edhe që paraprakisht të harmonizohen qëndrimet e grupeve parlamentare për tekstin e rezolutës.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës është pajtuar që tia dërgojë për mendim Qeverisë së Kosovës Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media dhe Transmetim, të hartuar nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media.