29 Mars 2024

Kryeministri priti në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë

Prishtinë, 22 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, pritën në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë dhe kryetarin e Partisë së Veprimit Demokratik, z.Shaip Kamberi, ish-kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit, z.Nagip Arifi.

Kryeministri Kurti e uroi z. Kamberi për zgjedhjen deputet në Kuvendin e Serbisë, pas shumë pengesave e sfidave me përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin në fshatin Tërnoc të Bujanocit. Ai shprehu besimin që z. Kamberi, sikurse edhe në mandatet e kaluara do të vazhdojë të përfaqësojë me dinjitet shqiptarët dhe se do ta ketë përkrahjen e vazhdueshme nga ai personalisht, por edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës. 

Deputeti Shaip Kamberi ia shprehu kryeministrit Kurti mirënjohjen dhe falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme publike që i ka dhënë këmbëngulësisë së tij për përfaqësim dhe përkrahjen konkrete që po u jep shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc. Në veçanti e falënderoi për vendimin në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e 255 mijë eurove për sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë të këtyre tri komunave.   

Duke diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi në tri komunat, Medvegjë, Preshevë e Bujanoc dhe politikave diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kryeministri tha se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por domosdoshmëri e kohës. Prandaj, ai kërkoi koordinim e angazhim edhe më të madh, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare.

Takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)