25 Prill 2024

Krasniqi u takua me kryetarët e komisioneve parlamentare

Prishtinë, 27 tetor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi është takuar sot me anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane, si dhe me kryetarët e komisioneve tjera parlamentare. Temë e këtij takimi ishte përmbushja e sfidave  të Planit  të  Veprimit të Kuvendit për Integrim Evropian për tre mujorin e tretë të vitit 2010.

Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti ka miratuar shumë ligje që dalin nga Raporti i Progresit për vitin 2009, ndërsa tani Kuvendi është në përmbyllje të miratimit të të gjitha ligjeve që janë në Raportin e Progresit, u theksua gjatë këtij takimi.

Kryekuvendari Krasniqi me këtë rast deklaroi se prej 26 ligjeve që janë të ndërlidhura me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2009, për progresin e arritur në Republikën e Kosovës, dhe që është dashur të miratohen gjer në fund të muajit shtator të këtij viti, gjashtë projektligje kanë mbetur në procedurën e shqyrtimit të komisioneve parlamentare.

Në këtë takim të organizuar nga Komisioni për Integrime Evropiane, kryekuvendari Krasniqi tha se gjatë këtij viti janë arritur disa suksese në Kuvend, dhe që janë vepër edhe e komisioneve parlamentare, siç ishte:  Letra e Bardhë, Plani i Veprimit për Strategjinë e Integrimeve Evropiane dhe legjislacioni i miratuar, në vitin 2010.

 “Mendoj se kjo është periudha më e frytshme e legjislacionit të këtij viti. Kemi bërë mjaft edhe në përafrimin e ligjeve të miratuara me standardet e EU-së”, tha Krasniqi duke theksuar tutje se këtë vit janë miratuar rreth 75 ligje.
 
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Zylfije Hundozi pasi paraqiti raportin e Planit  të  Veprimit të Kuvendit për Integrim Evropian për tre mujorin e tretë të vitit 2010, nga ana e komisioneve parlamentare, tha se në këtë raport nuk janë marrë parasysh sfidat të cilat janë në proces, por ato të cilat janë kryer plotësisht.

Hundozi konstatoi se komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës e kanë intensifikuar  punën e vet, në krahasim me vitin e kaluar. Me këtë rast sipas saj Plani i Veprimit për Kuvendin e Kosovës është përmbushur në përgjithësi, me disa vërejtje.

Sukses i evidentuar në këtë  plan të veprimit dhe në këtë raport u vlerësua fakti se shumica nga ligjet të cilat kanë qenë vërejtje në Raportin e Progresit të KE-së,janë miratuar në Kuvend, janë dekretuar dhe janë shpallë në fletoren zyrtare.

 “Nga 39 ligje janë kryer 28 sosh. Kanë mbetur edhe gjashtë ligje në procedurë parlamentare dhe pritet të jenë në rend ditë gjatë seancës së ardhshme. Katër ligje të cilat janë në Raportin e Progresit, Qeveria nuk i ka proceduar në Kuvend”, tha Hundozi.

Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, Hundozi vlerësoi se komisionet parlamentare i kanë ftuar në vazhdimësi ministrat për raportim në komisione dhe po ashtu janë thirrur në interpelanca.

“Sfidat që kanë mbetur nuk varen vetëm nga Kuvendi i Kosovës por edhe nga të gjitha institucionet tjera të Kosovës”, tha Hundozi.

“Kuvendi i Kosovës me miratimin e Planit të Veprimit ka bërë një punë shumë me rëndësi. Ky plan i veprimit i ka shtyrë komisionet parlamentare të punojnë intensivisht dhe të raportojnë në vazhdimësi”, tha Hundozi.

Kryetarët e komisioneve duke raportuar për gjendjen e projektligjeve në procedurat e shqyrtimit të tyre, si dhe rreth pengesave që paraqiten gjatë procedimit të projektligjeve  theksuan se në përgjithësi janë përmbushur të gjitha obligimet që kanë pasur komisionet parlamentare.

Megjithatë, ata kërkuan që në raportin e Planit të Veprimit, si suksese të institucioneve të shënohen jo vetëm sfidat e përmbushura që dalin nga Raporti i Progresit, por të gjitha aktivitetet politike parlamentare dhe të evidentohet e gjithë puna e Kuvendit dhe e komisioneve.

Me theks të veçantë u kërkua që në këtë raport të inkorporohen dy ngjarje të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës: “Samiti i kryetarëve të komisioneve të jashtme të vendeve të Evropës Juglindore, në temën “Bashkëpunimi rajonal dhe integrimet evropiane”, si dhe “Konferenca e komisioneve parlamentare për Buxhet të vendeve të Evropës Juglindore”.

Në fund të këtij takimi, Komisioni për Integrime Evropiane ka përkrahur tri projektligje: Projektligji për Metrologji, Projektligji për tregtinë e mallrave strategjike, si dhe Projektligji për shpronësimin e pronës së paluajtshme. Anëtarët e komisionit për Integrime Evropiane vlerësuan se projektligjet në fjalë janë përputhshmëri me legjislacionen e BE-së. 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)