27 Prill 2024

Krasniqi kërkon mbështetje më të madhe nga Brukseli

Prishtinë, 13 prill - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka filluar sot vizitën në Bruksel, në ditën e parë të së cilës ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian (PE) e të Senatit belg, dhe do të marrë pjesë në takimin e përbashkët parlamentar të organizuar nga PE-ja dhe Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, me temën “Ballkani Perëndimor – drejt një Evrope më të integruar”.

Kryetari Krasniqi zhvilloi takime me kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek dhe zëvendëskryetaren e Senatit belg, znj. Helga Stevens, të cilët i njoftoi me gjendjen dhe të arriturat në Kosovë. 

Kryetari i PE-së, Buzek, tha që Parlamenti Evropian është gati të mbështesë pavarësinë, demokracinë dhe ekonominë e lirë të Kosovës.

Ai vuri theksin në dy aspekte të veprimeve që duhet të ndërmarrë Kosova: reformat e gjithanshme dhe bashkëpunimin në rajon.

Duke folur për zgjedhjet e fundit në Kosovë, ai shprehu një shqetësim për parregullsitë që janë shënuar në këto zgjedhje dhe kërkoi që zgjedhjet, në të ardhmen, të jenë të drejta dhe transparente.

Përveç kësaj, ai tha që delegacioni evropian dhe Kukan, janë shumë të angazhuar që ta ndihmojnë Kosovën por, siç tha ai, ju në Kosovë do të duhej të intensifikoni veprimet për realizimin e reformave në dobi të prosperitetit të Kosovës në të ardhmen.

Buzek theksoi se përveç dialogut që po zhvillohet me Serbinë, është mirë që në të ardhmen, Kosova të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të bashkëpunimit me fqinjët dhe me Serbinë.

Kryetari i Parlamentit Evropian shprehu kënaqësinë që, megjithatë, procesi për zgjedhjen e institucioneve në Kosovë, duke përfshirë edhe atë të presidentit të fundit, përfundoi suksesshëm.

Kryetari Krasniqi, e falënderoi z. Buzek për ftesën që i ka bërë Parlamenti Evropian dhe ai i Hungarisë, për pjesëmarrje në takimin e përbashkët të PE-së me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Kuvendit i shprehu mirënjohje Parlamentit Evropian për ndihmën që i ka dhënë Kosovës dhe në mënyrë të veçantë, Kuvendit, si dhe e falënderoi për trajtimin korrekt që PE-ja po i bën Kosovës dhe që ka një qëndrim më të avancuar nga institucionet e tjera evropiane. Krasniqi kërkoi që edhe ato ta trajtojnë kështu Kosovën dhe ajo të jetë e përfaqësuar në të gjitha takimet multilaterale të rajonit.

Krasniqi u shpreh dakord me vërejtjet për parregullsitë që janë evidentuar gjatë zgjedhjeve, por theksoi se ato parregullsi, megjithatë, janë korrigjuar nga institucionet e pavarura dhe premtoi që në të ardhmen Kosova do të bëjë reforma të legjislacionit zgjedhor dhe nuk do të përsëriten lëshime dhe parregullsi të tilla.

Kreu i Kuvendit të Kosovës e njoftoi atë për konsolidimin institucioneve në Kosovë, për stabilitetin dhe sigurinë, për njohjet ndërkombëtare që i janë bërë Kosovës, për mbrojtjen e komuniteteve dhe të drejtave të njeriut. Ai vuri theksin në mënyrë të veçantë te problemet në veri të Kosovës, ku, siç tha Krasniqi, krimi i organizuar mbështetet nga strukturat e shtetit serb. 

“Gjendja në veriun e Kosovës është në dëm edhe të vet serbëve që jetojnë atje”, theksoi Krasniqi, duke shtuar se institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje për integrimin e komunitetit serb dhe ka arritje në këtë drejtim. Kreu i Kuvendit tha se institucionet e mbështesin dialogun me Serbinë, prandaj edhe e kanë filluar atë dhe presin që të zgjidhen shumë çështje teknike e të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. 

Krasniqi i kërkoi kryetarit të PE-së që të ushtrojnë ndikimin e tij dhe të Parlamentit, te pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë, si dhe kërkoi një përkrahje më të madhe për procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën e integrimin evropian.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës foli edhe për raportet e institucioneve të Kosovës me përfaqësuesit e BE-së në Kosovë dhe me EULEX-in.

Krasniqi i bëri ftesë kryetarit të Parlamentit Evropian që të vizitojë Kosovën.

Gjatë takimit me zëvendëskryetaren e Senatit belg, znj. Helga Stevens, kjo e fundit konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e pakursyer të Belgjikës për Kosovën. Ajo tha se Belgjika do të mbështes Kosovën në drejtim të liberalizimit të vizave dhe të stabilitetit të saj.

Edhe Stevens vuri theksin te marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët, në mënyrë të veçantë me Serbinë, në dobi të paqes, sigurisë dhe të marrëdhënieve në rajon. Sipas saj, bisedimet me Serbinë në Bruksel janë të rëndësishme, sepse ato do t’i stabilizojnë marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy vendeve në të ardhmen.

Gjatë takimit u bisedua, gjithashtu, për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet parlamentet belg me Kuvendin e Kosovës.

Znj. Stevens u interesua për gjendjen në Kosovë, për zhvillimin ekonomik, papunësinë, sidomos për arsimimin e të rinjve, për kushtet e personave me aftësi të kufizuar, arsimin dhe integrimin e tyre.

Ajo shprehu gatishmërinë e saj që të ndihmojë me çfarë të mundet dhe çfarë t’i kërkohet prej Kosovës.

Kryetari Krasniqi e ftoi znj. Helga Stevens që ta vizitojë Kosovën dhe të njihet për së afërmi me gjendjen atje.

Ai, në kuptim të përpjekjeve për integrimin dhe përfshirjen sociale, për zhvillimin ekonomik e për arsimin, përmendi në mënyrë specifike dokumentet që i ka miratuar Kuvendi në vitet e fundit: njëri ka të bëjë me adoptimin e Deklaratës së Mileniumit dhe tjetri me agjendën evropiane të përfshirjes sociale, e quajtur Letra e Bardhë.

Kryetari Krasniqi e njoftoi zëvendëskryetaren e Senatit belg edhe për gjendjen dhe të arriturat e tjera në Kosovë.

Gjatë kësaj vizitë, kryetari Krasniqi shoqërohet nga Lutfi Haziri, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Mehmet Hajrizi, shef  i Kabinetit të Kryetarit dhe Skënder Reçica, këshilltar për Protokoll dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)