27 Prill 2024

Krasniqi: Demokracia në Kosovë është realitet

Prishtinë, - 15 shtator - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dha mesazhin e tij për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Ai tha se kjo ditë lidhet me Deklaratën e Përgjithshme për Demokracinë, të Unionit Interparlamentar, miratuar më 16 shtator 1997 në Kairo dhe me Rezolutën për Demokracinë, të miratuar dhjetë vjet më vonë, më 13 dhjetor 2007, nga Asambleja e Përgjithshme e  Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Krasniqi th se demokracia ka qenë dhe mbetet aspirim i popujve anekënd botës, sepse ajo është institucionalizimi i lirisë dhe sipas tij ndryshe nga e kaluara e errët, sot rreth dy të tretat e vendeve të botës kanë instaluar sisteme demokratike.

“Kosova e dalë nga një sundim i egër dhe i gjatë shtypës e pushtues, sot i bashkohet familjes së madhe të demokracive të botës që kremtojnë këtë ditë. Demokracia në Kosovë nuk është më vetëm një aspiratë, por edhe realitet i ri që po e ndërtojmë çdo ditë, është qëllim i ynë permanent”, tha ai.


Sipas Krasniqit kremtimi i kësaj dite në Kosovë është një rast i mirë që t’u flasim fëmijëve tanë për vlerat demokratike të shoqërisë sonë, t’ua përkujtojmë se demokracinë që e kemi sot nuk patën fatin ta gëzojnë shumë gjenerata para tyre, të cilat sakrifikuan shumë për këto ditë të lirisë e të demokracisë.

“Procesi demokratik po e përshkon gjithë jetën në Kosovë, duke e ndryshuar atë në të gjitha fushat e saj, politike, ekonomike, shoqërore, kulturore e artistike. Duke mos qenë një akt i vetëm, demokracia përbën proces të vazhdueshëm dhe pa mbarim drejt përsosjes së saj”, tha Krasniqi.
 
Ai përkujtoi se Kosova respekton e mbron të Drejtat dhe liritë e njeriut, të drejtat e pakicave, parimet e demokracisë parlamentare, të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut.

“Të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë sigurohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, të sanksionuara në instrumentet në fuqi dhe në përputhje me pakon e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të propozuar nga presidenti Ahtisaari, të cilat janë pjesë përbërëse e Kushtetutës sonë”.

“Kosova, me kushtetutë i ka sanksionuar sistemin politik demokratik, sovranitetin e popullit, pluralizmin politik dhe ekonomik, zgjedhjet e lira dhe të drejta, qeverisjen e shtetit të së drejtës, ndarjen dhe kufizimin e pushteteve, sigurimin dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve dhe procedurat demokratike”


 
Krasniqi tha se kusht i mbrojtjes dhe përparimit të demokracisë, si kudo edhe në vendin tonë, është pjesëmarrja e qytetarëve të lirë në jetën shoqërore, duke debatuar hapur për çështjet e interesit të tyre jetësor, duke zgjedhur përfaqësues të dëshmuar me veprimet e tyre dhe duke kultivuar frymën e tolerancës, solidaritetit dhe të mirëkuptimit.

“Të gjithë bashkë duhet të marrim përgjegjësitë karshi demokratizimit të vendit dhe të shoqërisë. Ashtu si deri më tani  Kosova do të jetë në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare në synimin e saj për një shoqëri dhe shtet demokratik, të anëtarësuar në OKB e në organizmat e tjerë ndërkombëtarë dhe të integruar në Bashkimin Evropian e në NATO”, tha ai.
 
Ai tha se Legjislatura në vijim e Kuvendit ka arritur me sukses të promovojë demokracinë e kulturën parlamentare dhe të sigurojë përfaqësimin e të gjitha komuniteteve pakicë.

“Demokracia është  realizimi i lirisë për të gjithë. Të vlerësosh demokracinë, do të thotë të pranosh diversitetin në shoqëri, të respektosh vlerat dhe interesat e grupeve të ndryshme brenda saj.  Në fund dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan organizimin e kësaj kremte, Institutin Demokratik Kombëtar (NDI) për mbështetjen e pakursyer për Kuvendin gjatë gjithë viteve të pasluftës në Kosovë dhe Agjencionin Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për financimin e programeve të NDI në Kosovë”, tha Krasniqi në fjalimin e tij të dhënë për Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)