31 Korrik 2021

Krasniqi: Brenda gjashtë muajve ndryshimi i Kushtetutës

Prishtinë, 4 prill - Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e ka quajtur “proces të ngutshëm” zgjedhjen e Behgjet Pacollit për president, ngase, sipas tij, nuk kishte një komunikim ndërmjet subjekteve politike që janë pjesë e Kuvendit.
 
Krasniqi ka kërkuar që brenda 6 muajsh, sa do të jetë shef i shtetit, të ndryshohet neni 86 i Kushtetutës, që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit. “Brenda gjashtë muajve mund të bëjmë ndryshimin e Kushtetutës dhe presidenti të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta”, ka thënë Krasniqi të hënën gjatë një interviste për RTK-në.

Ai ka thënë se do të përpiqet të bisedojë me të gjitha partitë parlamentare për të dal nga situata e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit.

“Do të bëj përpjekje me të gjitha partitë në Kuvend që nëpërmjet bisedimeve mund të vihet deri te një tryezë për një konsensus për dalje nga kriza dhe për të gjetur zgjidhjen për presidentin”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, ekziston mundësia që nëse në asnjë formë të mos zgjidhet presidenti, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

I pyetur nëse do të lejojë që të ketë seancë parlamentare me vetëm një kandidat për president, pa arritur kompromis midis partnerëve të koalicionit qeverisës, Krasniqi ka thënë se nëse i bëhet kërkesë prej 40 deputetëve, atëherë duhet të procesuojë seancë parlamentare.

“Nuk e mbështesim këtë skenarë, por janë partitë politike ato që vendosin”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, në lidhje me qëndrimet e ndryshme që ka brenda PDK-së, Krasniqi ka thënë se kjo parti do të jetë e unifikuar, dhe se duhet të ketë kompromis midis partive për të gjetur shtegdalje nga situata e krijuar.

Ndërkohë ai ka thënë se nuk ka presionet nga ndërkombëtarët, duke mos përjashtuar mundësinë që presione nga ndërkombëtarët të ushtrohet ndaj kryetarëve të partive politike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 Korrik 2021

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane dhe Komunën e Prishtinës organizon për herë të parë Panairin e Vullnetarëve të Shëndetit Mendor. (Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Federat e Futbollit të Kosovës organizon workshop-in rreth sistemit VAR. (Kampi Edukativ Nacional në Hajvali, ora 17:00)