04 Gusht 2021

Kouchner: Pavarësia e Kosovës lëvizje e historisë

Prishtinë, 1 Mars - Për nder të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Francës, Bernar Kouchner, Kuvendi i Kosovës nën kryesimin e kryetarit Jakup Krasniqi, sot mbajti seancë solemne. Në këtë seancë ishin të pranishëm edhe kryetari i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri i vendit Hashim Thaçi, anëtarët e kabinetit qeveritar, ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë në Kosovë.

“Vendi juaj zoti Kouchner, ndër të parët e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008, duke u bërë shembull edhe për shumë aleatë e miq në gjithë rruzullin tokësor”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Ndërkaq, duke e njohur atë me sfidat dhe të arriturat e Kosovës gjatë këtyre viteve, Kryetari i Kuvendit u shpreh: ”Gjatë këtyre dy viteve të pavarësisë, Kosova ka ndryshuar shumë, duke bërë përparime të dukshme në të gjitha fushat. Në një periudhë të shkurtër ne arritëm të ndërtojmë të gjitha institucionet kushtetuese e demokratike të shtetit, të stabilizojmë shoqërinë shumetnike dhe Kosovën ta kthejmë në faktor paqeje në rajon”, theksoi Krasniqi.

Ministri i Jashtëm i Francës, dr. Bernard Kouchner, falënderoi për pritjen e ngrohtë të kryetarit të Kuvendit, duke u shprehur me nostalgji për kohën që ka kaluar në Kosovë si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm i KS të OKB-së. Ai, ndër të tjera, theksoi se ka dallim të madh ndërmjet asaj që ka qenë Kosova në vitin 1999 dhe kësaj që është sot. Kouchner theksoi mbështetjen e vazhdueshme që shteti francez dhe ai personalisht do t’i japin Kosovës në të gjitha proceset.

“Gjithmonë kam menduar dhe mendoj se e ardhmja juaj është Evropa”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Francës, dr. Bernard Kouchner, para se tu drejtohej deputetëve të Kosovës në seancën solemne për nder të tij.

“Dua t‘ju them në emër të Francës, se pavarësia juaj nuk është çështje. Kjo është lëvizje historike. Asgjë dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë lëvizje të historisë. Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm përfundimi i një pune të madhe, por gjithashtu fillimi i një rruge me shumë punë për ju dhe për Ballkanin. Nuk jeni vetëm në këtë rrugë. Pavarësia pa miqësi është vetëm vetmi. Kosova mund të besojë në miqësinë e Francës”, garantoi ministri i jashtëm francez, duke përkujtuar se Franca ka qenë ndër të parat që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kouchner tha: “Sot Franca do të bëjë gjithçka për t’iu dhënë mundësinë që t’i jepni jetë lirisë suaj”. Në vazhdim të fjalës së tij shefi i diplomacisë franceze theksoi se institucionet e Kosovës kanë treguar se kanë besim në një shoqëri paqësore, multientike dhe stabile. “Tani duhet të ndërtohet kjo shoqëri. Në këto dy vjet keni bërë shumë. Pajtimi juaj i plotë është hapi i parë. Puna juaj dhe aspiratat tuaja shkojnë drejt Evropës. Të keni besim në mbështetjen tonë në këtë drejtim”, tha Ministri i Jashtëm i Francës, Bernar Kouchner.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Gusht 2021

- Bordi dhe menaxhmenti i NP KOSTT raporton para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me organizmin e brendshëm dhe zbatimin e projekteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N10, ora 11:00)