19 Prill 2024

Kosova kërkon konkretizim të perspektivës evropiane

Prishtinë, 11 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar Holandez për Çështje Evropiane, kryesuar nga zonja Gerda Verburg.

Pasi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë, zonja Gerda Verburg theksoi se ky delegacion më  parë ka bërë një vizitë në Serbi, ndërsa do të vazhdojë vizitën edhe në Shqipëri.

Verburg tha se qëllimi kësaj vizite është që komisioni të informohet sa më gjerësisht lidhur me atë se çfarë kanë  bërë institucionet e Kosovës në përmbushjen e detyrave e obligimeve drejt integrimeve evropiane, në mënyrë që në mbështetje të tyre të merren edhe vendime përkatëse nga ana e institucioneve holandeze.

Kryekuvendari  Krasniqi duke i uruar mirëseardhje delegacionit, njëkohësisht  u falënderua për pritjen që iu kishte bërë kohë më parë gjatë vizitës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Holandë. Në këtë mënyrë, tha Krasniqi, po konfirmohet  miqësia ndërmjet dy parlamenteve dhe dy shteteve.

“Është shumë domethënëse njohja dhe bashkëpunimi me Holandën. Kemi shumë nevojë për të mësuar nga parlamentet që kanë traditë parlamentare. Ju falënderojmë juve dhe mbarë Holandën për ndihmën që na keni dhënë në të gjitha proceset e deritashme. Holanda është një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryekuvendari Krasniqi.

Në vijim Krasniqi i bëri një vështrim të gjerë strukturës së Kuvendit të Kosovës, duke u ndalur sidomos rreth pjesëmarrjes së deputetëve nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve tjera në përbërjen e Kuvendit.

Në këtë vështrim, ai tha se serbët marrin pjesë edhe në Qeverinë e Kosovës me 3 ministra dhe me zëvendësministra, ndërsa gjuha serbe është gjuhë zyrtare në Kosovë.

Pjesa me e madhe e serbëve janë të integruar në jetën institucionale të Kosovës, pos serbëve të veriut, tek të cilët Qeveria e Serbisë ka ndikim të madh. Sa i përket komuniteteve të tjera ato janë të integruara në institucionet e vendit.

Duke folur për punën legjislative të Kuvendit kreu i legjislativit  tha se ligjet që hartohen e aprovohen në Kosovë janë në pajtim me standardet evropiane.

Krasniqi foli për procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se Kosova po bën përpjekje të vazhdueshme  për përmbushjen e kritereve për liberalizim.

Në këtë kontekst ai tha se fakti që 5 shtete të BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën po krijon mjaft pengesa në komunikimin me institucionet evropiane, ndaj edhe kërkoi mbështetjen e Holandës në procesin e liberalizimit të vizave.

Po thuhet se Kosova ka perspektivë evropiane, por Kosova dëshiron që kjo perspektivë të jetë konkrete, përkatësisht e prekshme.

Sa i përket detyrave më prioritare të institucioneve të Kosovës, ai përmendi nevojën e sundimit të ligjit në mbarë vendin, domosdoshmërinë e një zhvillimi më të hovshëm ekonomik dhe  reformë më të thellë në sistemin e gjyqësisë në luftë kundër korrupsionit, sidomos në veri të Kosovës.

Në këtë frymë kryetari i Kuvendit tha se në veri nuk sundon ligji. Megjithëse atje vepron edhe  EULEX-i nuk shihet ndonjë progres. Megjithëkëtë, situata në vend është mjaft stabile.

Krasniqi njoftoi delegacionin edhe me bisedimet që po zhvillohen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mbështetje të Rezolutës së OKB-së.

Sipas raporteve për këto bisedime, del se nuk ka vështirësi serioze deri tash, ndërsa tema kryesore të bisedimeve janë çështje të dokumentacionit civil dhe atij kadastral, të grabitur nga Serbia në vitin 1999, pastaj energjia,telekomunikacioni etj. Megjithëse nuk ka arritje të prekshme, ato po vazhdojnë.

“Ne si Kuvend i kemi hapur rrugë dialogut , duke përcaktuar vijat edhe për tema që nuk mund të bisedohen, siç janë: sovraniteti dhe tërësia territoriale, si dhe rregullimi administrativ."

Me planin e Ahtisarit Kosova ka vendosur standarde të reja për komunitetin serb, ndërsa ky plan është realizuar në të gjithë vendin, pos në veri.

Delegacioni u njoftua edhe me marrëdhëniet shumë të mirë që ka Kosova me shtet fqinje dhe më gjerë në rajon, pos me Serbinë.

Gjatë këtij takimi të hapur e miqësor u shtruan edhe disa pyetje nga anëtarët e Komisionit nga Holanda.

Duke u përgjigjur në një pyetje që kishte të bënte me luftën kundër korrupsionit, Krasniqi tha se gjykatat dhe prokuroria janë të lira në veprimtarinë e tyre, mbase ato nuk janë të organizuara në nivelin e duhur, por nuk ka pengesa politike në fushëveprimtarinë e tyre, pra sistemi gjyqësor e ai prokurorisë janë të pavarur dhe ekziston vullnet politik për një veprimtari të tillë.

Ndërkaq, në pyetjen se cilat janë burimet në të cilat do të mbështetet Kosova në zhvillimin e ardhshëm ekonomik, Krasniqi përmendi infrastrukturën ligjore, brezat e rinj të popullsisë, pasuritë natyrore, sidomos agrokulturën e mineralet, investimet nga jashtë etj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)