06 Gusht 2021

Kosova ende larg liberalizimit të vizave

Prishtinë, 11 mars - Takimi i nëntë i radhës i Grupit Punues për Liberalizimin e Vizave me Bashkimin Evropian u mbajt sot në ambientet e Ministrinë së Punëve të Brendshme.

Në këtë takim mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, zyrtarë të lartë të MPB-së dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare.

Në takim po ashtu u prezantuan të arriturat e fundit të institucioneve të vendit lidhur me këtë proces.

Ministri Rexhepi para zyrtarëve të pranishëm theksoi se “në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë ka qenë një Komision vlerësues që i kanë dhënë opinionet e veta dhe se me këtë rast është thënë se ka pasur përparim në këtë drejtim”.

Më tej, ministri Rexhepi shtoi se “tashmë pret një dokument zyrtar që do të specifikojë në mënyrë të detajuar se çka më tutje duhet të plotësohet në këtë drejtim, që qytetarët e Republikës së Kosovës të udhëtojnë pa viza."

"Jemi shumë real në pritjet tona. Dëshirojmë që të na jipet shansi që edhe ne sikur shtetet tjera të marrim dokumentin, të jemi partnerë zyrtar në këtë drejtim dhe ne do t’i përmbushim kushtet që kërkohen në procesin e liberalizimi të vizave. Me të drejtë presim që edhe ne t’i gëzojmë benefitet si të gjitha shtetet tjera në rajon”, tha ministri Rexhepi.

Sefedin Kuçi, shef i Divizionit për Kufi në MPB, gjatë këtij takimi i prezantoi statistikat lidhur me kthimin e qytetarëve gjatë vitit 2010. Ai tha se gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë kthyer gjithësej 5 mijë e 198 persona.

Nga ky numër i përgjithshëm i të kthyerve, 2.103 prej tyre janë kthyer në mënyrë vullnetare, ndërsa 3.095 janë kthyer pa vullnetin e tyre.

Sipas statistikave të prezantuara në këtë takim, bëhet e ditur se pesë shtetet që kanë kthyer në së shumti qytetarë janë: Gjermania me 935 prej tyre, Austria me 888, Suedia me 793, Zvicra me 736, ndërsa në këtë grup hyn edhe Franca prej nga janë kthyer 377 qytetarë të Republikës së Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 Gusht 2021

 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të diskutohet procesi i monitorimit të Ligjeve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Nënshkuhet Memorandumi me Ambasadën e Norvegjisë “Mbështetje për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetarin e Kuvendit dhe kabinetin e tij, komisionet dhe grupet parlamentare, nën kornizën ‘Fuqizimi i paqes dhe shtetndërtimit dhe avancimi i agjendës evropiane për Kosovën’. (Kabineti i kryetarit të Kuvendit, ora 10:40)  

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për medie lidhur me koncertin e Ramë Lahajt. (Hotel “Opera” në Prishtinë, ora 14:30)