07 Maj 2021

Konjufca: Qëllimi i Serbisë ishte spastrimi etnik dhe shfarosja e shqiptarëve

Prishtinë, 2 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot bëri homazhe dhe vendosi lule pranë kompleksit memorial në Studime të Vushtrrisë, në nderim të 116 shqiptarëve të vrarë e masakruar 22 vite më parë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe.  

Kryekuvendari Konjufca, në një fjalë rasti, theksoi se kjo masakër shënon një akt të gjenocidit të ushtruar nga shteti i Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.  

Ai tha se në masakrën e Studimes dora gjakatare e armikut nuk kurseu askënd e asgjë, duke vrarë e masakruar pamëshirshëm me qëllimin e vetëm që populli shqiptar i Kosovës të dëbohej nga trojet e të parëve, që Kosova të serbizohej e të spastrohej etnikisht.  

“116 shqiptarët e vrarë, duke mos u kursyer as fëmijët, gratë e pleqtë, dëshmojnë se qëllimi i qartë i Serbisë ka qenë shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës”, tha më tej Konjufca.  

Tutje, kryekuvendari Konjufca ripërsëriti se martirët nuk mund të prehen të qetë, e as zemrat e familjarëve të tyre nuk mund të qetësohen, sepse ende nuk ka pasur drejtësi për gjenocidin e shkaktuar nga Serbia, e të cilin e kanë përjetuar banorët e Studimes, të Vushtrrisë dhe krejt populli shqiptar i Kosovës.  

“Ne si institucione duhet të jemi në krye të detyrës, jo vetëm duke i përkujtuar martirët e rënë, por edhe të kërkojmë drejtësi, në mënyrë që kriminelët të dënohen e drejtësia të vihet në vend”, theksoi z.Konjufca.​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Maj 2021

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit takohet me mbrojtësit e viktimave. (Pallati i Drejtësisë, ora 9:30)

- Lëvizja FOL organizon tryezë diskutimi me ç’rast publikon raportin “Realizimi i Planit të Punës së KPK-së dhe PSh-së për vitin 2020”. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton Propozim-vendimit e Avokatit të Popullit lidhur me zgjedhjen e 5 zëvendësve të Avokatit të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
    
- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit viziton Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve. (Strehimorja, Ulpianë, ora 10:45)
    
- KDI mban konferencë për medie ku do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit mbi transparencën e komunave të Kosovës në prokurim publik, për vitin 2020. (Zyret e KDI-së, ora 11:00)
    
- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me rastin e përvjetorit të aprovimit të Konventës së Stambollit takohet me Njësitin Kundër Dhunës në Familje-Policia e Kosovës. (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ora 11:45)
    
- Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, do ta ndajë çmimin “Evropiani i Vitit 2021”, i cili jepet për të gjashtën herë radhazi nga BE-ja. (Shtëpia e Evropës, ora 13:00)