26 Prill 2024

Konjufca: Kuvendi i përkushtuar për trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve

Prishtinë, 3 qershor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka hapur ditën e dytë të Festivalit Multikulturor 2021, të organizuar nga “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, në të cilin temë kryesore është “Gruaja, arkitekte e shoqërisë”.

Sipas organizatorëve, ky festival ka për qëllim ngritjen e vetëdijes rreth fuqizimit të rolit të grave të këtyre komuniteteve dhe sfidave me të cilat ato përballen.

Kryekuvendari Konjufca tha se Kuvendi i Kosovës është i përkushtuar që të zbatojë Kushtetutën e vendit, e cila qytetarët e Kosovës i trajton në mënyrë të barabartë dhe pa dallim.

Konjufca theksoi se është sot në këtë Festival për të përkrahur dhe promovuar barazinë e plotë në mes të qytetarëve, grave dhe komuniteteve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndalon çdo lloj diskriminimi në bazë të racës, ngjyrës, gjuhës, fesë, mendimeve politike, prejardhjes kombëtare, orientimit seksual etj.

“Kosova ndër vite e ka dëshmuar frymën e tolerancës e dialogut, si dhe ka mbështetur trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve dhe avancimin e grupeve të diskriminuara në shoqërinë tonë”, u shpreh kryekuvendari Konjufca.  

Tema e sivjetme e festivalit i jep edhe një motiv shtesë, pasi që, siç theksoi kryetari Konjufca, ky edicion u kushtohet grave në procese shoqërore dhe politike.

“Andaj trajtimi i një teme të tillë është shumë i nevojshëm, sidomos kur bëhet fjalë për gruan nga komuniteti rom, komuniteti ashkali dhe ai egjiptian”, tha kryetari Konjufca.  

Kreu i Kuvendit shtoi se duket një optimizëm sa i përket pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje dhe shembull i kësaj janë zgjedhjet e fundit në Kosovë, ku një numër i madh i grave kanë tejkaluar kuotën gjinore dhe kanë arritur të bëhen deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Kjo tregon që populli i Kosovës po vetëdijesohet sa i përket pozicionit të gruas në shoqëri dhe në politikë”, tha kryetari i Kuvendit.

Një shqetësim që ende mbetet sfidë e institucioneve të Kosovës, sipas kreut të legjislativit, mbetet papunësia e lartë e grave, me theks të veçantë të atyre nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, për të uljen e të cilës ai tha se do të kenë mbështetjen dhe angazhimin e të gjitha institucioneve të vendit.​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)