29 Mars 2024

Konfirmohet rendi i ditës për seancën e 19 majit

Prishtinë, 17 maj - Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen  e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën ishin të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare, ka konfirmuar rendin e  ditës për  mbledhjen plenare të  19 majit.

Pas pikave të përhershme të mbledhjeve rregullta: Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe Koha për pyetje parlamentare, në këtë seancë do të shqyrtohet Raporti financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010.

Në vazhdim, ndërkaq, do të zhvillohet debat parlamentar për masakrën në Burgun e Dubravës. Kërkesa është shtruar nga deputeti, Nait Hasani, dhe është mbështetur nga një grup deputetësh.

Në të njëjtën seancë do të miratohet Rregullorja për zgjedhjen dhe shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të Avokatit të Popullit, kurse në vazhdim do të shqyrtohen: Rekomandimi i Komisionit për Media për formimin e Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, Propozimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës  për emërimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur, për zgjedhjen e anëtarit në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, Raporti vjetor i Rregullatorit për ujëra dhe mbeturina, për vitin 2010, Raporti i punës së Agjencisë kundër korrupsionit, për vitin 2010, Raporti i auditimit të pasqyrave financiare të Komisionit të  Pavarur për Media,  për vitin e përfunduar më  31 dhjetor 2010, Raporti vjetor i Rregullatorit për energji, për vitin 2010, Raporti vjetor i Autoritetit të Aviacionit Civil, për vitin 2010, Raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, për vitin 2010, si dhe Raporti i punës së Institutit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2010.

Në këtë seancë, parashihet  të ketë debat parlamentar lidhur me bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Interpolin dhe   Europolin, sipas kërkesës së deputetit Ramiz Lladrovci, e mbështetur edhe nga deputetë të tjerë.

Në mbledhjen e sotme Kryesia ka shqyrtuar edhe Propozim-Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës  për emërimin e anëtarëve të        Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke e ngarkuar Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri që të përgatisë për  Kuvend raportin me rekomandime, si dhe  Propozimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, për debat parlamentar, lidhur me gjendjen e pensionistëve në Republikën e Kosovës.

Për këtë pikë të rendit të ditës, para se çështja të radhitet për seancë plenare, Kryesia kërkon nga Ministria e Punës dhe  Mirëqenies Sociale një material bazë, i cili do t’u shërbente deputetëve për debat parlamentar.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)