20 Prill 2024

Komisioni fshehurazi përzgjedhë kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 24 gusht - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL, Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) kanë reaguar ndaj mungesës së transparencës me rastin e propozimit të kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Komisioni i posaçëm i Kuvendit.

Këto organizata theksojnë së komisioni i posaçëm i Kuvendit për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, i kryesuar nga deputeti Adnan Rrustemi, në mënyrë të fshehur ka zhvilluar procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithëse në hapat fillestarë të këtij procesi në fazën e përgatitjes së pyetjeve testuese pjesëtarë të shoqërisë civile kishin marrë pjesë në monitorim të procesit, në fazat e mëvonshme të testimit dhe përzgjedhjes shoqëria civile nuk është lajmëruar fare për mbledhjet e Komisionit, megjithëse disa organizata të shoqërisë civile kishin parashtruar kërkesa dhe shprehje interesimi tek zyrtarët e Kuvendit dhe kryesuesi i Komisionit.

Njëherit, vetë kryesuesi i Komisionit Rrustemi i kishte njoftuar të pranishmit në mbledhjen fillestare që për takimet e radhës do të informohen me kohë.

''Një informim i tillë nuk ndodhi kurrë (me gjithë kërkesat e bëra), ndërkaq ky Komision, tetë ditë më pas, publikoi në ueb faqe lajmin se procedoi tutje në Kuvend për emërim listën e ngushtë prej gjashtë kandidatësh, ku vetëm dy do të emërohen eventualisht nga Kuvendi në seancat e radhës'', theksojnë organizatat e shoqërisë civile.

Ky proces u zhvillua pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile - megjithëse mbledhjet e Komisionit do duhej të ishin të hapura dhe transparente konform Rregullores së Punës së Kuvendit.  

''Ne si Organizata të Shoqërisë Civile në Kosovë e shohim me shqetësim faktin që ky Komision injoron përfshirjen e shoqërisë civile në një proces kaq të rëndësishëm siç është përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese'', thuhet me tutje në reagimin e organizatave.

Komisioni as nuk ka dërguar ftesa për pjesëmarrje në mbledhje të Komisionit e as nuk është përgjigjur në shprehjet e interesimit për pjesëmarrje të dërguara në adresë të tij.

Kjo nuk kishte ndodhur në procesin paraprak për shqyrtimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ku shoqëria civile në mënyrë aktive kishte marrë pjesë.

Ndryshimi i kësaj praktike, është i pakuptueshëm dhe pa bazë ligjore. Për më tepër, ky veprim i Komisionit prek në thelb edhe vet integritetin e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja eventuale e të cilëve do të cilësohej si jo transparente.

Kjo nuk është hera e parë që Komisionet e legjislaturës aktuale shpërfillin pjesëmarrjen e rëndësishme të shoqërisë civile në monitorim të proceseve me interes publik.

''Ne organizatat e poshtëshënuara, tendencat e tilla i shohim si shumë shqetësuese dhe bëjmë thirrje që të tilla të konsiderohen edhe nga i gjithë spektri politik e shoqëror në Kosovë. Mbi të gjitha, legjislatura aktuale duhet ta ketë të qartë rolin dhe rëndësinë që ka shoqëria civile, duke krijuar kushtet e nevojshme për ushtrimin e misionit të saj'', thuhet në fund të reagimit.   

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)