16 Tetor 2021

Komisionari Tomas Hamarberg, kundër kthimit të kosovarëve

Prishtinë, 13 shkurt - Komisionari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Tomas Hamarberg, ka shprehur shqetësimin e thellë për kthimin e detyrueshëm të njerëzve që janë strehuar në shtetet evropiane.

“Nuk është koha e duhur për të kthyerit në përgjithësi, e lëre më për kthim të detyrueshëm”, ka thënë Hamarberg, pas vizitës dyditëshe që i ka bërë Kosovës, në përpjekje për të analizuar situatën pas kthimit të detyrueshëm të kosovarëve nga ana e disa shteteve evropiane.

Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të OKB-së, janë kthyer më shumë se 2,500 persona nga shtetet evropiane, kryesisht nga Austria, Gjermania, Suedia dhe Zvicra.

Për t’i përmbushur kriteret për liberalizim vizash, Kosova po vazhdon të nënshkruajë marrëveshje për riatdhesimin e kosovarëve, por sipas Hamerbergut, kushtet në Kosovë nuk e lejojnë një kthim të tillë.

Ai e ka ngritur këtë çështje, pasi, siç ka thënë, ka indikacione, se numri i të detyruarve për t’u kthyer, do të rritet në vitet e ardhshme.

“Kemi përshtypjen se Kosova nuk është e gatshme që të pranojë numër të madh të njerëzve që do të ktheheshin në këtë fazë”.

“Fuqitë e mëdha evropiane, mendoj në Gjermaninë, Suedinë, Zvicrën dhe Austrinë të mos e shfrytëzojnë rastin që t’i bëjnë një lloj presioni politik Kosovës për të pranuar në këtë fazë numër të madh të personave, që kthehen në mënyrë të detyrueshme”, ka theksuar Hamarberg.

Shqetësimet e Hamarbegut janë thelluar, kur, siç ka thënë, ka marrë vesh se disa nga të kthyerit nga shtetet evropiane janë rivendosur në kampet e kontaminuara me plumb në veri të vendit, të cilat ende vazhdojnë të paraqesin rrezik të madh për shëndetin e njeriut.

“Nevojitet veprim i menjëhershëm. Unë, në njëfarë mënyre, e ndjej veten të turpëruar që kjo po ndodh në Evropën e ditëve tona, në epokën që po e jetojmë”.

“Ky është një skandal dhe sigurisht se kjo gjë do të kërkojë shqyrtim, analizë për të parë se si dhe pse ka ardhur deri te kjo, pasi kanë kaluar 10 vjet dhe nuk kemi parë të ndërmerren masa apo veprime, të cilat do të ndryshonin gjendjen për të mirë”, është shprehur Hamarberg.

Përgjegjës për ekzistimin e kampeve, ai e ka bërë edhe komunitetin ndërkombëtar në Kosovë, meqë, siç ka thënë, administrimi i rajonit ku gjenden kampet, është bërë kryesisht nga ndërkombëtarët.

Kampet rome në veri ekzistojnë që nga vitit 1999. Rekomandime për mbylljen e tyre janë dhënë, jo vetëm nga Këshilli i Evropës, por edhe nga organizata tjera për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë, numër i madh i banorëve nëpër kampe vuajnë nga sëmundje të ndryshme, të shkaktuara nga përqendrimi i lartë i sasisë së plumbit në gjak, sasi kjo që gjendet në zonën ku janë të vendosura kampet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 Tetor 2021

- Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” do të organizojë konferencë për media, ku do të shpalosen të gjeturat kryesore nga vëzhgimi i fushatës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. (Zyrat e KDI-së, rruga “Bajram Kelmendi”, ora 10:00)
 
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën shpërndarjen e materialit kryesor zgjedhor, ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet, për Zgjedhjet Lokale 2021. (Depoja qendrore e KQZ-së, përballë QNR-së, ora 10:00)

- Federata e Pingpongut organizon në bashkëpunim me KPP ‘Gani Maloku’ kanë paraparë organizimin e turneut të dytë memorial të veteranëve në nder të Gani Malokut.. (SHMU Tefik Çanga në Ferizaj, ora 14:00)