20 Prill 2024

KMDLNJ: Serbia improvizon gjykimet për krime lufte

Prishtinë, 12 prill - KMDLNJ nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare po simulon procese gjyqësore për krime lufte, në të cilat po shqiptohen dënime simbolike dhe qesharake për krime të tmerrshme ndaj civilëve të paarmatosur të cilat i kanë kryer forcat serbe.

Rasti i fundit sipas kësaj organizate është dërgimi dhe dëgjimi i dëshmitarëve nga Kosova në Prokurorinë Speciale për Krime Lufte në Beograd, për krimet në Qyshk dhe fshatrat e tjera të Pejës. “Ky simulim i gjykimeve ishte bërë edhe më parë me rastin e gjykimeve për krime ndaj familjeve Duriqi dhe Bogujevci nga Podujeva dhe krimit ndaj familjes Berisha në Suharekë-Therandë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNJ-së, opinioni është informuar se çfarë dënimesh janë shqiptuar për këto krime.

“KMDLNJ, kërkon që të gjithë ata që dyshohen të kenë kryer krime lufte në Kosovë e që nuk janë gjykuar para Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë duhet të dënohen para gjykatave përkatëse në Kosovë\", thuhet në reagim.

“Dëshmitarët nga Kosova sipas KMLDNJ duhet t’i japin dëshmitë e tyre para hetuesve kosovarë e jo të shkojnë jashtë Kosovës”. Serbia, sipas kësaj organizate, duhet t’i ekstradojë të dyshuarit për krime lufte në Kosovë dhe ndaj tyre të organizohen gjykime në Kosovë nën mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar dhe vëzhguesve nga Serbia.

“Deri sa kriminelët e dyshuar nuk do të gjykohen në vendin e krimit atëherë nuk do të mund të flasim për drejtësi por vetëm për surrogat të drejtësisë! Serbia po i përdorë këto gjykime për përfitime politike, EULEX-i po i ndihmon Serbisë si edhe disa OJQ që po e bëjnë transportin e dëshmitarëve nga Kosova në Serbi! Për përfitime materiale”, thotë KMDLNJ.

KMDLNJ kërkon drejtësi për të gjitha viktimat, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare të viktimave si dhe dënim të merituar për kriminelët të cilëve u dëshmohet fajësia, gjithashtu pa dallim etnie, feje etj. Mënyra e deritashme e gjykimeve dhe dënimet e shqiptuara, sipas KMDLNJ-së janë fyerje për viktimat dhe familjet e tyre dhe dhunim i drejtësisë.

“Përpjekja për relativizim dhe barazim të krimit është i motivuar politikisht dhe po përdoret për një pajtim të imponuar ndëretnik i cili asnjëherë nuk do të jetë i suksesshëm”, thotë në reagim KMDLNJ.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)