25 Prill 2024

Kanada e mbështet fuqishëm integritetin territorial të Kosovës

Mitrovicë, 22 tetor - Kanada e mbështet fuqishëm integritetin territorial të Kosovës dhe sovranitetin e saj, tha ambasadori i Kanadasë në Kroaci, Ed Laughlin, gjatë një takimi me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.  


Ai poashtu i dha mbështetje dialogut që pritet të nis ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje praktike.

Në këtë takim, ambasadori Laughlin, shfaqi besimin se me kohë do të zbatohet edhe në veri Pakoja e Ahtisarit, ku ende ka probleme në këtë drejtim. Ai e ka vlerësuar atë si zgjidhjen më të mirë që ofron garanci për të gjitha komunitetet.

Në anën tjetër, ai është interesuar të di për rrethanat aktuale në Mitrovicë, për gjendjen e sigurisë, mandej ekonomisë etj. Lidhur me këto kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili shoqërohej në takim edhe nga nënkryetari, Riza Haziri, ka thënë se në përgjithësi gjendja është e rëndë.

Duke folur veç e veç për fushat për të cilat u interesua ambasadori, kryetari Kastrati, fillimisht u fokusua në gjendjen e sigurisë. Tha se ka tensione si pasojë e incidenteve të shpeshta që shkaktohen nga strukturat paralele serbe. “Në veri veprojnë strukturat paralele serbe që dhjetë vjet dhe ato sfidojnë rendin dhe ligjin në gjithë veriun e vendit”.

Poashtu ai foli edhe problemet e banorëve shqiptarë në veri. Theksoi se ata kanë probleme për qarkullim të lirë dhe për qasje në pronat e tyre. “Kemi shumë presione të mëdha prej banorëve të veriut. Të zhvendosurit janë barrë e komunës. Janë duke jetuar nëpër strehimore kolektive dhe në gjendje të rëndë, përderisa shumë banesa të tyre  mbeten të uzurpuara në veri”.

Në anën tjetër potencoi se strukturat paralele serbe janë duke bërë presion jo vetëm te qytetarët shqiptarë, por edhe tek ata serbë. Ai tha se serbët në veri janë nën presion dhe nuk kanë liri deklarimi politik. “Qytetarët serbë në veri janë në pozitë jo të mirë, meqë nuk guxojnë të shprehën lirshëm dhe as të bëhen pjesë e institucioneve kosovare. Ata janë peng i politikës së Beogradit”.  

Si hap pozitiv për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri, kryetari Kastrati, e ka përmendur vendosmërinë e autoriteteve të rendit, të cilat së fundi e kanë rritur praninë e tyre dhe kanë shtuar masat e sigurisë. “Ka qenë koha e fundit që të shtohen masat e sigurisë dhe të lëvizet në drejtim të vendosjes së rendit, meqë gjendja po rëndohej përditë e më tepër”. 

Kryetari Kastrati ka folur edhe për gjendjen  e rëndë ekonomike dhe sociale për papunësinë e madhe etj. Ai ka falënderuar ambasadorin Laughlin për interesimin e tij dhe për mbështetjen që ka ofruar Kandaja vazhdimisht për proceset e rëndësishme në Kosovë.   

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)