27 Prill 2024

Italia përkrahë Kosovën për udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave

Romë, 7  korrik - Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Itali është takuar të enjten me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Franco Frattini.

Gjatë takimit, dy ministrat janë pajtuar se Kosova duhet të marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave gjatë këtij viti.

Ministri Franco Frattini ka thënë se Republika e Kosovës duhet të marrë sa më shpejt udhërrëfyesin në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, ashtu siç e kanë edhe qytetarët e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Jashtëm i Italisë, po ashtu, ka garantuar përkrahjen e parezervë të shtetit italian për Kosovën në rrugën integruese në Bashkimin Evropian.

Frattini ka thënë se Italia dhe ai personalisht do të angazhohen fuqishëm që t’i sigurojnë Kosovës marrëdhënie kontraktuale me Komisionin Evropian, duke përmendur marrëveshjen për shkëmbime tregtare si një prej marrëveshjeve të para që do të mund të arrihej mes Kosovës dhe KE-së.

Shefi i diplomacisë italiane ka përgëzuar Ministrin Hoxhaj për reformat dhe progresin që ka arritur Kosova pas pavarësimit, duke u shprehur shumë i kënaqur me përkushtimin e Qeverisë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Franco Frattini ka thënë po ashtu, se Italia dhe Kosova do të avancojnë marrëdhëniet ekonomike, duke bërë të ditur se kompanitë italiane janë të gatshme të investojnë në Kosovë.

Gjatë takimit, ministrat Frattini dhe Hoxhaj, janë pajtuar që shumë shpejt në Itali të organizohet një forum i biznesit, ku Kosova do të ketë mundësi të prezantojë potencialet dhe mundësitë e tërheqjes së investimeve nga jashtë.

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka falënderuar Ministrin Frattini për mbështetjen e parezervë të tij dhe Republikës Italiane për të gjitha proceset në Kosovë, e veçanërisht rreth perspektivës integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ministri Hoxhaj e ka vlerësuar tejet domethënëse për qytetarët dhe institucionet e Kosovës mbështetjen e Italisë në të gjitha etapat e zhvillimit.

“Roli i Italisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm në perspektivën evropiane të Ballkanit dhe Kosova nuk duhet të jetë e përjashtuara nga këto procese integruese”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se shteti dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se Kosova dhe Italia do të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha aspektet.

Në këtë drejtim Ministri i Jashtëm i Kosovës, ka thënë se dy shtetet, në nivel të ambasadorëve, do të krijojnë një agjendë të përbashkët të bashkëpunimit politik, diplomatik, ekonomik dhe akademik.

“Do të shikohen mundësitë e nënshkrimit të disa marrëveshjeve që do të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha aspektet, përfshirë edhe shkëmbimet në arsim, kulturë, vëllazërimin e komunave dhe universiteteve të dy vendeve tona”, ka thënë Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)