19 Prill 2024

Isa Mustafa kërkon president konsensual

Prishtinë, 4 prill - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se situata aktuale në Kosovë mund të zgjidhet më një marrëveshje politike që do të shmangte zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Mustafa tha se Lidhja Demokratike do të bojkotojë sërish procesin e zgjedhjes së presidentit nëse partitë në pushtet nuk merren vesh me opozitën, por hedh poshtë çdo mundësi të pjesëmarrjes së partisë në pushtet.

“Kushtet elementare do të ishin përgatitjet për zgjedhjet e reja, të cilat do të jenë zgjedhje demokratike me përfaqësim të drejtë. Këto përgatitje nënkuptojnë afatizimin e ndryshimit të ligjit për zgjedhjet dhe sistemit zgjedhor. Afatizimin e ndryshimit të kushtetutës, në mënyrë që të zgjidhet problemi i zgjedhjes së presidentit të Republikës. Dhe pas kësaj, një afat optimal i shkuarjes në zgjedhje të përgjithshme, të cilat do të nënkuptonin pastaj zgjedhje për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai theksoi se nëse kushtet e sipërpërmendura do të plotësoheshin, partia e tij do të merrte pjesë në Kuvend, por jo ta votonin Behgjet Pacollin, pasi sipas tij, është e drejtë deputetëve që ata të vendosin lidhur me votimin apo mosvotimin.

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, theksoi se partia e tij është e gatshme të përballet me zgjedhje të jashtëzakonshme, duke i konsideruar ato si zgjedhje demokratike dhe theksoi se nuk është LDK-ja ajo që inicion këtë proces (zgjedhjet) ose që shkakton shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Janë ata që e kanë shkelë kushtetutën. Kushtetutën e ka shkelë Kuvendi, i cili ka vendosë për zgjedhjen e presidentit në një procedurë kushtetuese dhe ata të cilët nuk po reflektojnë gatishmëri për të gjetur zgjidhjen”, ka theksuar Mustafa për VOA, dhe ka shtuar se nuk ndjehet aspak përgjegjës nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Mustafa tha se nuk mërzitet shumë se është akuzuar nga pushteti për shkelje të kushtetutës me mospërmbushje të detyrimeve të deputetëve për të qëndruar në sallë, pasi, sipas tij, “këtë e ka thënë zoti Thaçi, sepse ai e interpreton në mënyrën e vet vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Kjo është gjë e pazakontë, sepse është qartë e thënë se kush e ka shkelë kushtetutën dhe ai i adresohet Kuvendit dhe jo atyre që s’kanë qenë në seancë të Kuvendit. Ndërkaq, unë nuk e shoh fare nevojën që të bëhen apele rreth pjesëmarrjes së deputetëve”, ka thënë ndër të tjera Mustafa, duke iu referuar kërkesës së ndërkombëtarëve që deputetët të mos e lëshojnë sallën.

Ndërkaq, i pyetur që ta vlerësojë situatën në të cilën gjendet Kosova si dhe nëse vendi po shkon drejt zgjedhjeve apo megjithatë, mund të gjendet një zgjidhje brenda kësaj periudhe, kryetari Mustafa është shprehur i bindur se zgjidhja mund të gjendet.

“Nuk është e domosdoshme të shkohet në zgjedhje, sepse, zgjidhja mund të gjendet në një bisedë, në një tryezë me partitë opozitare dhe partitë që janë në pozitë, në mënyrë që të gjendet një interes i përbashkët, në një moment i cili do të jetë optimal për ta tejkaluar këtë situatë dhe që vendi të ketë institucione, edhe qeverinë edhe presidentin e Kosovës dhe për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme, sepse këto zgjedhje ashtu si kanë filluar edhe po vazhdojnë”, ka deklaruar Mustafa, duke shtuar se zgjedhjet e fundit “kanë filluar keq dhe të gjitha refleksionet deri më tani kanë qenë të këqija” theksoi Mustafa.

Mirëpo, ai ka mohuar që në këtë zgjidhje të jetë e përfshirë LDK-ja në pushtet.

“Ne nuk kërkojmë pjesë në pushtet. Ne kërkojmë që të bëhen përgatitjet për zgjedhje të ardhshme cilësore, për zgjedhje demokratike, në dobi dhe në përfitim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa.

Kreu i LDK-së është shprehur i gatshëm që të takohet me kryeministrin Thaçi për t`i diskutuar të gjitha këto çështje,

“Edhe me zotin Thaçi edhe me të tjerët jam i gatshëm të takohem. Këtë e kemi diskutuar edhe sot. E kam prezantuar këtë gatishmëri edhe më parë dhe unë mendoj se një gjë e tillë, do t`i ndihmonte daljes nga kjo situatë. Dhe jo vetëm takime, por natyrisht edhe gatishmëri që të gjendet zgjidhja e përbashkët”, ka thënë Mustafa.

Duke komentuar krizën e brendshme politike, ai ka thënë se vendi po rrezikon proceset politike përfshirë edhe bisedimet me Serbinë dhe se Kosova gjendet në një udhëkryq nga i cili duhet të dilet.

Ai ka thënë gjithashtu se nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, dialogu me Serbinë do të ndërpritet sepse, sipas tij, “ata që janë duke zhvilluar dialog nuk do të kenë mandat që ta zhvillojnë këtë më tutje”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)