25 Prill 2024

Incident gjatë ligjërates së Kryeministrit Thaçi në AAB

Prishtinë, 20 prill - Pas përfundimit të ligjëratës rreth zhvillimit ekonomik të vendit, me të cilën kryeministri Hashim Thaçi u është drejtuar studentëve të Universitetit AAB-Riinvest për rreth pesëmbëdhjetë minuta, ka qenë aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, i cili i pari e ka marrë fjalën në kohën e rezervuar për pyetje.

Deklaratave të Thaçit në lidhje me prioritetet bazë të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilave parashihet ulja e papunësisë dhe fuqizimi ekonomik brenda periudhës 2011-2014, u është kundërpërgjigjur, Frashër Krasniqi, me disa pyetje, të cilat janë ironizuar dhe nuk kanë marrë përgjigje nga ana e kreut të ekzekutivit.

Krasniqi ka kërkuar nga kryeministri përgjigje rreth asaj, nëse Qeveria e vendit deri tash nuk ka pasur plan fare.

“Kryeministër, veç deshta me ju pyt, ky plan që e keni bërë ju, a nënkupton që Qeveria deri tash nuk ka pasur plan fare? A nënkupton kjo që të gjitha privatizimet, përfshirë edhe nisjen e procedurës rreth privatizimit të PTK-së, e keni bërë pa pasur kurrfarë plani, përfshirë këtu edhe miratimin e buxhetit të ri, e paskeni bërë pa pasur kurrfarë plani?”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë që pyetja e Krasniqit është anashkaluar për t’u dhënë hapësirë studentëve të tjerë për të parashtruar pyetje, dy aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes për pak minuta kanë mbajtur në duar para kryeministit pankartën me mbishkrimin “Kjo qeveri u ka hipur skijave”.

Pas ndërhyrjes së pjesëtarëve të sigurmit për të tërhequr jashtë aktivistët, kryeministri ka vazhduar fjalimin para studentëve, në këtë rast duke vlerësuar lartë të arriturat e Kosovës nga viti 2007, kohë kjo kur ai për herë të parë kishte marrë postin e kreut të qeverisë.

Derisa Thaçi po vazhdonte i qetë ligjeratën duke përmendur rritjen e pagave për shërbyesit civil, Frashër Krasniqi ka vazhduar kritikat në adresë të tij.

Krasniqi theksoi se rritja e pagave ka ndodhur në kohën e dyfishimit të çmimit të produkteve esenciale.

Këto zhvillime brenda amfietatrit të Universitetit AAB-Riinvest, të cilat më tepër i ngjanin një fushate elektorale, kanë shtyrë pjesëtarët e sigurimit që sërish të intervenojnë, kësaj radhe duke nxjerr jashtë edhe Frashër Krasniqin.

Ndërprerja e ligjeratës për pak minuta, ka vazhduar me deklarimet e kryeministrit, “keni mundur të merrni edhe kryesinë e partisë suaj”, ka thënë ai duke buzëqeshur.

Më tej, ai tha se veprimet e aktivistëve të Vetëvendosjes dëshmojnë edhe nivelin e tyre të edukatës.

“Qytetari mund ta jep votën, apo të mos ta jep atë, por nuk mun dtë bartë edukatën, ajo rrjedh nga familja”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, gjatë ligjerimit të tij Thaçi ka përmebdur edhe rrjedhën e mirë të diskutimeve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetarë Ndërkombëtarë, rreth rritjes së pagave.

AAB distancohet
Universiteti AAB Riinvest është distancuar nga disa persona që janë prezantuar si studentë të këtij universisteti, e të cilët kanë shkaktuar një incident gjatë ligjëratës së kryeministrit Hashim Thaçi.

Në një njoftim të Universitetit AAB Riinvest thuhet se “gjatë ligjëratës së kryeministrit Hashim Thaçi para studentëve dhe auditorit të tij, disa persona të pandërgjegjshëm të cilët deshën të prezantohen si studentë të këtij Universiteti dhe shpërndanë pamflete për auditorin nuk janë studentë të Universitetit tonë”.

Më tej theksohet se “Universiteti AAB Riinvest shpreh keqardhje dhe distancohet publikisht nga sjelljet dhe veprimet e tyre”.

Ndërkaq sipas mediave elektronike, Kryeministri Hashim Thaçi është vënë në siklet gjatë ligjëratës në AAB-Riinvest, në momentin kur ishte duke prezantuar planin ekonomik të Qeverisë.

Kur është pyetur nga aktivistë të Vetëvendosjes nëse “u kishte hipur skive” gjatë kohës së hartimit të këtij plani në Bullgari, Thaçi nuk ka dashur t’u përgjigjet pyetjeve të aktivistit Frashër Krasniqi, i cili më pastaj është nxjerrë jashtë nga sigurimi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)