18 Prill 2024

Hyseni dërgon 122 letra për njohjen e Kosovës

Nju Jork, 13 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, është duke vazhduar qëndrimin e tij në Nju Jork, ku po zhvillon takime të shumta me përfaqësues vendesh të ndryshme të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht në kontekst të miratimit të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme.

Hyseni ka zhvilluar takime edhe me disa Ministra të Punëve të Jashtme që këto ditë po qëndrojnë në Nju Jork.

Në kontekstin e miratimit të rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme, Hyseni gjithashtu u është drejtuar me një letër ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës, përfshirë Federatën Ruse.

Një letër i është dërguar edhe Sekretarit për Marrëdhënie me Shtetet të Selisë së Shenjtë. Gjatë mëngjesit të sotëm, të 122 letrat janë përcjellë te misionet e përhershme të këtyre vendeve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në letrën e tij, Ministri ka theksuar se, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në rezolutën e saj, ka mirëpritur mendimin këshillëdhënës të 22 korrikut të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Kjo rezolutë e Asamblesë, e miratuar me konsensusin e shteteve anëtare, e forcon edhe më shumë pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Në këtë letër, Ministri ka rikujtuar gjithashtu faktin se, Mendimi i Gjykatës ka qenë i qartë dhe i saktë dhe ka rikonfirmuar të drejtën e Kosovës për shtetësi. Në këtë mënyrë, Republika e Serbisë ka pranuar këtë fakt, e pakta në mënyrë të tërthortë, përmes votës së saj pozitive për rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme. Në vijë me këtë, Ministri është shprehur se, tashmë nuk ka asnjë arsye për shtetet që të vonojnë njohjen e shtetit të Kosovës, dhe ka ripërsëritur edhe njëherë thirrjen e tij për njohje formale të Republikës së Kosovës.    

 

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)