24 Prill 2024

Hoxhaj vizitë zyrtare në Stamboll

Prishtinë, 18 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka udhëtuar për në Stamboll, ku do të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Kooperim Islamik.

Ai pritet të zhvillojë shumë takime me ministra të jashtëm të vendeve islamike nga të cilët do të kërkoj njohjen e shtetit të Kosovës.

Në konferencën ku pritet të marrin pjesë 57 ministra të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të OKI-së, Hoxhaj merr pjesë me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu.

Ai pritet të zhvilloj takime të shumta me ministra të jashtëm të vendeve islamike, me qëllim të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të kësaj vizite, Hoxhaj do të zhvillojë një takim të veçantë edhe me ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, gjatë të cilit do të bisedohet për format konkrete të thellimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy shteteve tona mike.

Në veçanti, ministri i jashtëm i Kosovës dhe homologu i tij turk do të diskutojnë për ndihmën e mëtutjeshme që do të ofrojë Turqia në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe përmbylljen sa më të shpejtë të procesit të njohjes së Kosovës nga shtetet anëtare të OKB-së.

Organizata për Kooperim Islamik (ish-Organizata e Konferencës Islamike), në sesionin e 38 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, të zhvilluar në Astana të Kazakistanit në muajin qershor, kishte miratuar një Rezolutë në të cilën u bënte thirrje të gjitha shteteve anëtare të Organizatës që të njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Kjo është organizata e dytë më e madhe ndër qeveritare pas Kombeve të Bashkuara, me gjithsej 57 shtete anëtare nga katër kontinente të ndryshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)