25 Prill 2024

Hoxhaj: Idetë e Tadicit të rrezikshme për paqen në Ballkan

Sofje, 28 qershor – Në ditën e dytë të vizitës në Bullgari, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj para dhjetëra diplomatëve të shteteve të ndryshme ka mbajtur një ligjëratë në Institutin Diplomatik të Bullgarisë me temën “Shtetndërtimi dhe perspektiva Evropiane e Kosovës”.

 

Duke folur për shtetndërtimin e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës, Ministri Hoxhaj ka thënë se pavarësia e Kosovës ka krijuar paqe, stabilitet dhe siguri në Ballkan.

 

“Kosova është shtet sikur që është Sllovenia, e cila është pjesë e Bashkimit Evropian, sikur që është Kroacia që ka marrë ftesën për në BE, sikur që është Mali i Zi, që ka shpallë pavarësinë e saj në vitin 2006. Kosova është kaptina e fundit e shpërbërjes së Jugosllavisë”, ka shtuar Hoxhaj.

 

Gjatë ligjëratës, Ministri Hoxhaj ka thënë se idetë që vijnë nga Serbia për shkëmbimin e territoreve, për ndarje dhe krijimin e shteteve monoetnike janë ide të rrezikshme dhe mund të prodhojnë vetëm dhunë në Ballkan.

 

“Të hënën zoti Tadic propozon ndarje të Kosovës, të martën flet për shkëmbim të territoreve, të mërkurën flet për krijimin e shteteve monoetnike në Ballkan, derisa të enjten dhe të premten vjen me deklarata tjera. Ide të tilla janë shumë të rrezikshme dhe mund të prodhojnë dhunë, jostabilitet dhe mund ta kthejnë Ballkanin 20 vjet mbrapa. Kufijtë e Ballkanit janë vendosur, janë stabil dhe çështja e sovranitetit, e territorit janë çështje të mbyllura”, ka thënë Hoxhaj.

 

Sa i përket shtetndërtimit të brendshëm, Ministri Hoxhaj ka thënë se në këto tri vite është bërë një punë shumë e madhe në implementimin e Pakos së Ahtisaarit, në reformimin e shtetit dhe të shoqërisë, derisa po vazhdojnë përpjekjet për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

 

Ministri Hoxhaj ka theksuar se marrëdhëniet e mira mes shteteve të rajonit varen nga perspektiva e qartë Evropiane që duhet të kenë shtetet e Ballkanit.

 

“Ndërtimi i shteteve në Ballkan nuk ka qenë vetëm dëshirë, vullnet i qytetarëve brenda shteteve, por ka qenë edhe dëshirë dhe vullnet i faktorëve të jashtëm. Prandaj, ekzistenca e shteteve në Ballkan, varet sot nga perspektiva Evropiane”, ka shtuar ai.

 

Me këtë rast, Ministri Hoxhaj ka ritheksuar nevojën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës në Evropë dhe nevojën e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian.

 

“Vetëm dy milion kosovarë nga 50 milion qytetarë të Ballkanit, nuk kanë drejtë të lëvizjes pa viza në Evropë. Kosova sot është shtet i izoluar dhe ne nuk dëshirojmë të mbesim një popull i harruar në mes të Evropës. Ne kërkojmë udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave”, ka thënë ai.

 

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, po ashtu, ka takuar anëtarët e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Asamblesë Nacionale të Bullgarisë.

 

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj ka informuar anëtarët e këtij Komisioni me proceset e shtetndërtimit në Republikën e Kosovës, me reformat që po implementohen nga institucionet si dhe me aspiratat dhe perspektivën evropiane të shtetit të Kosovës.

 

Hoxhaj ka përsëritur faktin se pavarësia e Kosovës, si kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë, ka krijuar paqe, stabilitet, siguri dhe perspektivë euroatlantike në rajon.

 

Ministri Hoxhaj ka shprehur interesimin e institucioneve dhe diplomacisë kosovare për të intensifikuar bashkëpunimin e gjithanshëm me Republikën e Bullgarisë, duke pasur parasysh mbështetjen e madhe që ky shtet ka dhënë për Kosovën sidomos pas pavarësimit.

 

“Por, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë do të forcojmë jo vetëm marrëdhëniet bilaterale në nivelin politik dhe institucional, por do të thellojmë miqësinë historike mes dy popujve, miqësi e cila do të konsolidohet në vazhdimësi nga qytetarët e dy vendeve tona”, ka thënë Hoxhaj.

 

Në anën tjetër, anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme në Asamblenë Nacionale të Bullgarisë, kanë mirëpritur vizitën e Ministrit Hoxhaj, duke vlerësuar lartë takimin e zhvilluar.

 

Përveç aspekteve të tjera të thellimit të bashkëpunimit bilateral, deputetët bullgarë kanë marrë iniciativë për krijimin e grupit të miqësisë Bullgari-Kosovë, në kuadër të Asamblesë Nacionale bullgare, grup i cili pritet të krijohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

 

Gjatë vizitës në Sofje, Ministri Hoxhaj ka marrë pjesë edhe në një ceremoni simbolike në Ambasadën e Kosovës në Bullgari, ku së bashku me Ambasadoren Ariana Zherka Hoxha, ka bërë dorëzimin e pasaportës së Kosovës, për një student kosovar në Bullgari.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)