25 Prill 2024

Gratë nuk janë të kënaqura me përfaqësimin e tyre në qeverisje

Prishtinë, 15 korrik - Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me NDI-në, mbajti sot një tryezë lidhur reformën e Ligjit zgjedhor, në të cilën merrnin pjesë kryetarët e komisioneve për reformën zgjedhore dhe të atij për ndryshimet kushtetuese, si dhe deputetë, përfaqësues të partive politike, të forumeve të grave, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë.

Teuta Sahatqija, kryetare e Bordit të Grave Deputete tha se Grupi i Grave Deputete angazhohet për fuqizimin e gruas në politikë dhe në segmentet tjera të jetës institucionale e shoqërore, mbi interesat partiake, të vetëdijshme se të gjitha gratë ballafaqohen me probleme të njëjta.

Forcimi i demokracisë, tha ajo, nuk është i mundshëm pa pjesëmarrjen e gruas në të gjitha proceset shoqërore, pra edhe në vendimmarrje. Megjithë rezultatet e arritura,u shpreh Sahatqija, edhe më tutje gratë nuk mund të jenë të kënaqura me përfaqësimin e tyre në qeverisje dhe vendimmarrje, duke e ilustruar këtë edhe me të dhëna përkatëse.

Një vështrim të gjerë aktivitetit të grave deputete, i bëri deputetja Flora Brovina, e cila theksoi se kuotën duhet ta kemi vetëm si një ndihmesë, ndërsa duhet të krijohet hapësirë e nevojshme që gratë me aftësitë e tyre të ballafaqohen në garën zgjedhore, në mbarë aktivitetet, për t’ u zgjedhur edhe nga vota e drejtpërdrejtë.

Haki Demolli dha një pasqyrë të gjerë të aktiviteteve të Komisionit për Amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës , duke theksuar se ky komision brenda 12 muajve duhet të përfundojë amendamentimin në Ligjin mbi Zgjedhjet.

Ky Komision , tha ai , ka formuar edhe grupin punues, ndërsa të gjithë janë të përqendruar veçanërisht në tri drejtime:identifikimin e problemeve zgjedhore, organizimin e debateve, si dhe draftimin e Ligjit dhe procedimin në kohën e planifikuar në Kuvend.

Duke folur për punën e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës , Arsim Bajrami, tha se pas largimit të dy presidentëve për shkak të shkeljeve kushtetuese u pa e nevojshme që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Në këtë mënyrë arrihet që presidenti të përfaqësojë unitetin dhe njëkohësisht sigurohet legjitimiteti i zgjedhjes së presidentit, neutraliteti i tij dhe stabiliteti i vendit, pasi presidenti dhe kryeministri do të zgjedhen ndaras. Për herë të parë, tha Bajrami, Kosova do të ketë Ligj zgjedhor për zgjedhjen e presidentit.

Deputetja Donika Kadaj foli për aktivitetet e Grupit të Grave deputete,sidomos sa i përket takimeve të këtij grupi me përfaqësues të subjekteve të ndryshme nga vendi dhe Evropa, ndërkaq drejtorja e NDI-së, Laura NIchols tha se ky subjekt do të ofrojë mbështetje në shumë aspekte, por sidomos me analiza komparative në këtë lëmë.

Në debatin e gjerë u tha se Grupi i Grave Deputete, si dhe të gjitha asociacionet e grave duhet të shtojnë angazhimet e tyre, që në kuadër të reformës zgjedhore të gjenden mënyrat e zgjidhjet sa më adekuate, të cilat do të reflektonin në përmirësimin e mëtejmë të pozitës së gruas në qeverisje dhe vendimmarrje.

Në këtë frymë, megjithatë, kuota e 30 përqindëshit shihej si një zgjidhje tash për tash e pazëvendësueshme, ndërsa duhet të kihen parasysh propozimet e reja që bëhen, për të peshuar mirë e mirë se çfarë efekte do të prodhojnë.

Përfundime kryesore të tryezës ishin respektimi i kuotës dhe listat e hapura. Ndërkaq, përfundime të tjera të rëndësishme të tryezës dhe për të cilat u pajtuan njëzëri të gjithë pjesëmarrësit ishin: votimi i më shumë se një kandidati, funksionimi dhe forcimi i gjyqësorit, i cili do të ishte garant i respektimit të ligjit për zgjedhje, respektimi i ligjit për barazi gjinore në nivelin 40% në të gjitha institucionet , përmirësimi i aspektit teknik dhe rritja e transparencës, si dhe bugjetimi gjinor, i cili është esencial për implementimin e ligjeve të cilat adresojnë barazinë gjinore.

Si nevojë urgjente u adresua edhe demokratizimi i brendshëm i subjekteve politike, të cilat janë çelës i zhvillimit të demokracisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)