20 Prill 2024

Fule mbështet Kosovën për liberalizim të vizave

Prishtinë, 19 mars - Komisionari i Bashkimit Evropian për zgjerim Stefan Fule ka konfirmuar mbështetjen BE-së në rrugën e integrimit, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave, duke kerkuar angazhim më të madh në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takim me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Stefan Fule, ka theksuar se “Për Kosovën janë inkurajuese perspektiva evropiane, procesi i liberalizimit të vizave dhe procesi i stabilizim-asocimit”. Në takim është vlerësuar progresi i arritur në Kosovë, veçmas me zgjedhjet e fundit lokale dhe për procesin e decentralizimit.

Fillimisht kryeministri Hashim Thaçi dhe komisionari Stefan Fule kanë zhvilluar një takim të veçantë tek a tek, dhe pastaj kanë vazhduar diskutimin bashkë me delegacionet e zgjeruara dypalëshe.

Kryeministri Hashim Thaçi ka njohur mysafirin me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në veçanti për procesin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Këto zgjedhje kanë shënuar një hap të rëndësishëm edhe në drejtim të integrimit të komuniteteve minoritare dhe në rritjen e pjesëmarrjes së komuniteti serb. “Tani për Qeverinë e Kosovës është jashtëzakonisht më e lehtë puna në komunat e reja për të punuar me liderët e rinj dhe legjitim” ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Temë e diskutimit me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian ka qenë edhe zbatimi i planit gjithëpërfshirës për sundimin e ligjit në veri të vendit, formimi i komunës së re në Mitrovicën veriore dhe organizimi i zgjedhjeve të lira në tri komunat përkatëse në veri të vendit.

Në takim është theksuar perspektiva evropiane e Kosovës dhe angazhimet në procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogu në procesin e asociim-stabilizimit. Qeveria e Kosovës, tashmë ka pranuar udhërrëfyesin për marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian dhe ajo do të jetë e angazhuar që të  kryejë me kohë obligimet, të demonstrojë seriozitet, profesionalizëm dhe e përgjegjshme.         

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë kontaktet me Brukselin, dhe do të angazhohet, në bashkëpunim me prezencën e Bashkimit Evropian, EULEX-in, ICO-në, në luftë kundër korrupsionit dhe të gjitha dukurive negative.         

Kryeministri Thaçi ka theksuar se Kosova ka ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me vendet e rajonit dhe ka vullnet të mirë për të punuar në drejtim të realizimit të objektivave për çështje praktike edhe me Serbinë. Këto çështje nuk mund të lëvizen në mënyrë të njëanshme, andaj edhe e respektojmë autoritetin e kontakteve të EULEX-it dhe ICO-së me autoritetet e Beogradit.          

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian ka përgëzuar kryeministrin Hashim Thaçi për progresin e shënuar në Kosovë, duke apostrofuar në veçanti organizimin e zgjedhjeve të fundit lokale, por gjithashtu edhe për progresin në fushën e decentralizimit.         

““Është e rëndësishme për institucionet e Kosovës të fokusohen së pari në stabilitetin politik në vend. Pastaj në disa fusha presim jo më fjalë , por përparime konkrete, e sidomos në atë të sundimit të ligjit, qeverisjes s mirë, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ekziston edhe një konsensus i fuqishëm edhe për angazhimin e Kosovës për tri fusha të rëndësishme, e para është procesi i stabilizim-asocimit, liberalizimi i vizave dhe po ashtu për tregti”, ka thënë komisionari Stefan Fule.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)