16 Prill 2024

Fillojnë punimet e konferencës së parë të Ambasadorëve

Prishtinë, 30 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në Konferencën e Parë të Ambasadorëve të Kosovës, e cila  ka filluar punimet të mërkurën, ka paralajmëruar hartimin e një dokumenti gjithëpërfshirës për politikën e jashtme të shtetit, i cili do të përfaqësoj interesin shtetëror  të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Shefi i Diplomacisë së Kosovës ka thënë se konferenca dy ditore e ambasadorëve, është një rast i mirë që realisht të diskutohen çështje të rëndësishme për shtetin, për ekonominë dhe shoqërinë kosovare, duke bërë të qarta edhe qëllimet e saj.

“Qëllimi i parë i konferencës është që gjatë këtyre dy ditëve Ministria e Punëve të Jashtme dhe  ambasadat tona të kenë një debat të mirëfilltë dhe të trajtoj çështjet se si  edhe më mirë të prezantohet interesi shtetëror i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, se si të prezantojmë më fuqishëm interesat politike e ekonomike të Kosovës në pjesë të ndryshme të botës, se si t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Kosovës në vendet ku ju jeni të pranishëm dhe të cilat ju i mbuloni. Një debat i mirëfilltë, i shtruar, i hapur për atë se si interesi shtetëror, politik, ekonomik dhe interesat e qytetarëve të Kosovës në këto vende të përfaqësohen, prezantohen dhe promovohen sa më mirë”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Qëllimi i dytë i konferencës, sipas Ministrit, është që të bisedohet për fazën në të cilën është aktualisht Kosova, pozitën ndërkombëtare të shtetit, sfidat që e presin këtë pozitë ndërkombëtare të Kosovës dhe se  në çfarë forme duhet të sillet Ministria e Punëve të Jashtme dhe ambasadat e Kosovës të cilat e përfaqësojnë interesin shtetëror të Republikës së Kosovës.

“Meqë politika e jashtme është një politikë e interesit nacional, ku realisht ngërthehen të gjitha vizionet, qëllimet, përkushtimet e të gjitha institucioneve, të gjitha subjekteve politike apo jetës publike, ne mendojmë se është jashtëzakonisht vendimtare që të bisedojmë për atë se cila është pozita aktuale e Kosovës në politikën e jashtme dhe se si ta fuqizojmë këtë pozitë të Kosovës edhe më shumë”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Kurse, qëllimi i tretë i Konferencës së Ambasadorëve, sipas Hoxhajt, është që nga kjo konferencë e cila do të jetë e rregullt dhe do të mbahet në baza vjetore, të nxirret një bilanc për punët e bëra, bilanc për sukseset, sfidat dhe në të njëjtën kohë të dilet me sugjerime se si të vazhdohet më tutje.

Ministri Hoxhaj ka thënë se një çështje kyçe e cila duhet të bisedohet në konferencën dy ditore të ambasadorëve është fuqizimi i subjektivitetit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare me qëllim që të përmbushen të gjitha prioritetet dhe objektivat e politikës së jashtme.

“Është shumë kyçe që njohjet, njohjet dhe vetëm njohjet të jenë prioritet dhe fokus 15 orësh i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ambasadave tona në çdo pjesë të botës”, ka thënë ai.

Ministri Hoxhaj po ashtu bëri të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar me një grup punues në hartimin e Strategjisë për lobim dhe avokim për njohje,  e cila, sipas tij, do të duhej të jetë një instrument i fuqishëm për lobim sa i përket rritjes së numrit të njohjeve.
 
“Gjatë këtyre dy  ditëve do të duhej të bisedojmë për atë se cila duhet të jetë rruga që duhet të ndjekim ne si Ministri e Punëve të Jashtme të Kosovës në proceset e integrimit euroatlantik, çfarë duhet të ndodhë, cili duhet të jetë koordinimi mes institucioneve të qeverisë qendrore dhe se çfarë duhet të bëjmë”, ka thënë Hoxhaj. 

Ai ka veçuar rëndësinë e promovimit të interesave ekonomike  të Republikës së Kosovës dhe fuqizimin e përfaqësimit të një imazhi modern real të Republikës së Kosovës. 

“Duhet të fokusohemi shumë më detalisht në proceset integruese evropiane, por për ne si Qeveri dhe si Ministri e Punëve të Jashtme ekziston një shqetësim shumë real se Republika e Kosovës  nuk ka marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe se Republika e Kosovës është vendi i vetëm i përjashtuar nga procesi i liberalizmit të vizave. Përkundër asaj që çështjen e integrimeve evropiane e kuptojmë si një çështje të përkushtimit të brendshëm, ne mendojmë që duhet të kemi më shumë mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian por dhe nga institucionet tjera të BE-së në çështjet integruese evropiane”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka shtuar se përveç përqendrimit në arritjen e këtyre objektivave, Ministria e Punëve të Jashtme është e interesuar që të bisedojë edhe për çështje të komunikimit të brendshëm ndërmjet MPJ-së dhe  ambasadave dhe konsullatave të Kosovës.

“Ne jemi shumë të interesuar që të bisedojmë për atë se në cilat vende ambasadat tona do të duhet të kenë fuqizim më të madh me staf, me buxhet por edhe me përqendrim më të madh dhe se cilat janë adresat tona të fuqishme politike”, ka thënë Hoxhaj. 

Sipas Ministrit, një çështje shumë kyçe është edhe konsolidimi i shërbimeve konsullore të Republikës së Kosovës. “Ka shumë qytetarë të cilët jetojnë në pjesë të ndryshme të botës, të cilët realisht deri më tash nuk kanë arritur që t’i përmbushin shumë kërkesa të natyrës individuale dhe jemi në fazën e fundit të asaj se në çfarë forme duhet që shërbimet tona konsullore të jenë më aktive, më dinamike, efikase dhe se si t’i përmbushim kërkesat që i kanë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, duke paralajmëruar pajisjen e shpejtë të ambasadave dhe konsullatave në disa vende evropiane me aparatura të reja.

Ministri i Punëve të Jashtme po ashtu ka thënë se gjatë kësaj konference duhet të bisedohet për çështjen e stafit të ambasadave por edhe stafit të MPJ-së. “ Ne mendojmë që gjatë kësaj kohe ndoshta të bisedohet edhe për atë se si të kemi një program të mirë të kualifikimeve, trajnimeve dhe zhvillimit të mëtutjeshëm profesional  të diplomacisë sonë, qoftë të asaj që është në MPJ, qoftë të asaj që është në ambasadat tona dhe se cilat masa duhet t’i ndërmarrim”, ka thënë Hoxhaj.

Përkitazi me Buxhetin e ndarë për Ministrinë  e Punëve të Jashtme për këtë vit, Ministri tha se ai do të jetë një buxhet i mjaftueshëm për t’i plotësuar kërkesat e parapara dhe se nuk ka shkurtime buxhetore të cilat e dëmtojnë procesin dhe punën e misioneve diplomatike të Kosovës.

Shefi i diplomacisë kosovare ka thënë në këtë konferencë se ajo çfarë i mungon Ministrisë së Punëve të Jashtme është një dokument apo strategji për atë se çfarë është politika e jashtme e Republikës së Kosovës. “ Gjatë këtij viti, gjatë muajit prill synojmë që ta përmbyllim çështjen e strategjisë për lobim dhe avokim drejt njohjeve, por  është më se e domosdoshme që Republika e Kosovës ta ketë një strategji ose dokument të politikës së jashtme, dokument i cili do ta reflektoj interesin shtetëror të Republikës së Kosovës, të jetë dokument i Presidencës, Qeverisë, Kuvendit, i partive politike dhe i të gjitha institucioneve të Kosovës”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Sipas tij, në politikën e jashtme nuk mund të ketë ndryshime të  shpejta të prioriteteve, por, siç u shpreh Ministri Hoxhaj, politika e jashtme pa një vizion të qartë, pa parime të qarta dhe pa një përmbajtje të definuar mirë nuk funksionon.

“Prandaj, nëse ne planifikojmë që gjatë muajit prill të dalim me një strategji lobimi për Republikën e Kosovës, është shumë kyçe që sa më shpejt ta kemi edhe një dokument të politikës së jashtme i cili do ta definojë pozitën tonë në rajonin e Ballkanit, relacionin tonë shumë të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, me qendra të fuqishme të vendosjes në kuadër të aktorëve shtetërore dhe duhet të kemi një qasje afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Ky dokument nuk duhet të jetë vetëm dokument i Ministrisë së Punëve të Jashtme, por të jetë një dokument i të gjithë Republikës së Kosovës”, ka thënë Ministri Enver Hoxhaj.

Në konferencë, përveç  ambasadorëve të Kosovës në botë, kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të shteteve të huaja në Kosovë. Pjesëmarrësve i janë drejtuar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Hans-Dieter Steinbach dhe Ambasadori i Konfederatës së Zvicrës në Kosovë, Lukas Beglinger.

Konferenca do të vazhdojë nesër ku në fund do të ketë edhe rekomandimet të cilat do të inkorporohen në strategjinë për lobim dhe të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)