09 Dhjetor 2022

Dezinformimi si mjet i Serbisë për ta luftuar Kosovën në planin propagandistik

Prishtinë, 16 nëntor - Organizata joqeveritare Aktiv doli me një informatë se drejtori i kësaj OJQ-je, Miodrag Miliqeviq, me datë 14.11.2022 në ora 9.30 të mëngjesit është ndaluar në pikëkalimin në Jarinje nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe me këtë rast ishte keqtrajtuar verbalisht dhe fizikisht duke u qëlluar me grusht në bark ndonëse, sipas tyre, me asgjë nuk e ka provokuar situatën.

Pas kësaj kishte shumë reagime nga mediat në Serbi si dhe institucionet shtetërore të Serbisë duke deklaruar se është vazhdim i dhunës ndaj serbëve.

Policia e Kosovës e ka përgënjeshtruar këtë informatë duke deklaruar se nuk ka asnjë ankesë nga z. Miliqeviq për rastin në fjalë.

Kohë më parë kur u keqtrajtua një e moshuar shqiptare në Shtëpi për të Moshuar në Pejë në mediat serbe ishte një informatë që përcillej me fotografi se si infermieret shqiptare e keqtrajtojnë një të moshuar serbe pas së cilës u aktivizuan politikanët nga Serbia duke e gjykuar këtë “ dhunë “ ndaj plakës serbe.  

Policia serbe, para një jave arrestoi një grup të organizuar kriminal me dyshim se kishin planifikuar vrasjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) vlerëson se kjo nuk paraqet asnjë lajm për Kosovën po të mos ishte një informatë se, edhe këtu ishin të ngatërruar shqiptarët.

"Në raportet nga hetuesia thuhet se ishin planifikuar tre mundësi për vrasje të Vuçiqit, atentat me armë, vënia e mjetit shpërthues në automobilin e Vuçiqit sikur edhe helmimi i tij në restoran ku e frekuenton përmes hedhjes së një helmi në ushqim e që pastaj, si i sëmurë nga zemra do të pësonte atak kardiak."

"Ndërkaq, si njeri të besueshëm që do ta hedhte helmin në ushqim ishte caktuar një shqiptar i besueshëm i cili, për këtë do të shpërblehej me 5000 euro."

"Janë tri dezinformata brenda një kohe të shkurtër në kohën kur Serbia përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të Kosovës e ka tensionuar situatën sikur që po kërcënon edhe serbët që jetojnë në Kosovën qendrore se do ta pësojnë nëse bashkëpunonë me institucionet e Kosovës duke i quajtur “ serbët e Kurtit “", thekson KMDLNJ.

Këto dezinformata sipas KMDLNJ-së nuk po përdoren rastësisht dhe në këtë kohë por se kanë një vijimësi të keqpërdorimit për qëllime politike që nga rasti i Gjorgje Martinoviqit, vrasja e të rinjve serbë në kafeterinë “ Panda “ në Pejë, vrasja e fëmijëve dhe të rinjve serbë në fshatin Gorazhdec, fshat i banuar 100 përqind me serbë, vrasja e 11 fshatarëve serbë duke punuar tokën në fshatin Staro Gracko të Lipjanit, vendosja e mjetit shpërthyes në autobusin e UNHCR që bartte refugjatë serbë në veri të Kosovës e që ishte kontrolluar nga serbët dhe ndërkombëtarët, deri te vrasja e 11 shqiptarëve në Mitrovicë në shkurt të vitit 2000, në prani dhe përkrahje të xhandarmerisë franceze me ç’rast dhunshëm janë shpërngulur mbi 13,000 shqiptarë dhe joserbë sikur edhe vënia e zjarrit shtëpive dhe veturave të serbëve në veri të Kosovës shkaku se i kanë konvertuar targat ilegale apo janë integruar në institucione të Kosovës.

KMDLNj ka reaguar për të gjitha këto raste duke kërkuar zbardhjen e tyre dhe vënien para drejtësisë të atyre që kanë përgjegjësi mirëpo, asnjë nga këto raste nuk ishte zbardhur ndërkohë që përgjegjësia arbitrarisht ishte adresuar te shqiptarët.

Është e habitshme se si faktori ndërkombëtar nuk kontribuoi në zbardhjen e asnjë rasti në ndërkohë që KMDLNj–ë fuqishëm beson se ndërkombëtarët mund të kenë informata për këto raste por se heshtin për shkak të oportunitetit politik.

Realisht, vetëm rasti “Panda“, falë rrjedhjes së informatave nga burimet serbe konsiderohet i sqaruar duke e adresuar përgjegjësinë drejt shërbimeve sekrete të Serbisë por se nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor për të sanksionuar përgjegjësinë penale për këtë krim të tmerrshëm. Institucionet e Kosovës duhet të këmbëngulin në zbardhjen e këtyre rasteve të cilat Serbia i përdorë për ta fajësuar Kosovën ndonëse nuk e kanë asnjë fakt për këtë.

Opinioni kosovar por edhe ai ndërkombëtar është i informuar se pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004 kur e pësuan serbët dhe romët, kryesisht, pati shqiptarë të arrestuar dhe të dënuar, të gjitha dëmet materiale në shtëpi dhe objekte fetare u kompensuan nga buxheti i Kosovës sikur që ishte një fushatë gjithëpërfshirëse për kthimin e serbëve të zhvendosur.

Në anën tjetër, ndonëse në këto ngjarje të dhunshme ishin vrarë 11 shqiptarë, askush nuk bëri hetim për vrasjen e tyre ku kishte edhe ekzekutime klasike nga afërsia dhe askush nuk u arrestua apo dënua për këto vrasje.  

Vënia e drejtësisë dhe kompensimi u bë sipas parimit ekskluzivisht etnik e jo sipas ligjit që garanton trajtim të njëjtë për të gjithë.

Askush nuk u dënua për vrasjen e 11 shqiptarëve në Mitrovicë në shkurt të vitit 2000, askush nuk ua kompensoi dëmet materiale dhe, jo që nuk pati angazhime për kthimin e tyre (mbi 13,000) në pronat e tyre por, përkundrazi ndërkombëtarët, me të gjitha mjetet e pamundësuan kthimin e tyre  ndërkaq që institucionet e Kosovës, për një kohë ua paguan qeranë për t’i lënë pastaj në mëshirën e fatit.

Në këtë mënyrë u përligj spastrimi etnik i veriut të Kosovës  për ta krijuar një situatë tjetër etnike e që po manipulohet nga Serbia.

Institucionet e Kosovës dhe qytetarët duhet tregojnë maturi sepse, përkundër përpjekjeve për destabilizim të situatës, KMDLNj mendon se nuk do të ketë përshkallëzim të dhunës dhe se kjo situatë do të tejkalohet në mënyrë paqësore

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 dhjetor 2022 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, marrin pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Liritë Fetare. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton Raportit për Projektligjin Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:30)

- Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, me raport amendamente të Komisionit funksional për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:45)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon konferencë për media, ku do të publikohet raporti me titull “Qeverisja me duar të pastërta”, raport ky mbi deputetët, ministrat dhe kryetarët e komunave, të cilët kanë probleme me ligjin. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Gjykata Kushtetuese organizon “Ditën e Gjykatës së Hapur” në shënim e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. (Gjykata Kushtetuese, ora 10:00)

- Për të shënuar 9 dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe Mediave, do të mbajnë një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkëbisedon me studentët e Kolegjit AAB për temën mbi dhunën në bazë gjinore. (Kolegji AAB, ora 10:30)

- Rreth 60 punëtor teknik dhe ata te sigurimit fizik qe punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare disa shkolla te Prishtinës  do te protestojnë me kërkesën për rritje të pagave. (Para komunës se Prishtinës, ora 11:00)

- Këshilli Rinor Kosovar organizon Kuvendin Zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovës në nivel vendi. (Amfiteatri i Ministrisë së Drejtësisë, ora 13:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon aktivitet me studentët e Klinikës Ligjore të IKD– së, ku do të bëhet prezantimi i shpalljes së simuluar të një aktgjykimi të një rasti të korrupsionit. (Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, ora 13:30)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, ora 13:30)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në një tryezë me gratë në Komunën e Mitrovicës. (Restaurantin "Va Piano", ora 15:00)

- Me rastin e 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit, Blerim Peci, Komuna e Mitrovicës, në bashkëpunim me artistë, familjarë e miq të ish të ndjerit organizojnë takimin përkujtimor për të ndarë së bashku kujtime të bukura e të pashlyeshme për të. (Qendra e Kulturës "Rexhep Mitrovica", ora 17:00)

- Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu merr pjesë në shfaqjen e filmit "Zgjoi". (Kino Armata, ora 17:00)