12 Gusht 2022

Delegacioni nga Iowa pritet nga ministrja Gërvalla

Prishtinë, 4 korrik - Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Donika Gërvalla Schwarz, së bashku me Zëvendësministren, znj. Liza Gashi, kanë pritur sot në takim një delegacion nga shteti i Iowa-së, që po qëndrojnë për vizitë në Republikën e Kosovës.

Zëvendëskryeministrja, duke i falënderuar ata për vizitën, ka thënë se miqësia dhe lidhja e ngushtë me shtetin e Iowa-së, është shumë e rëndësishme dhe e çmuar për Republikën e Kosovës.

Duke kujtuar vizitën që javë më parë kishte në këtë shtet, ministrja Gërvalla ka thënë se fushat e bashkëpunimit mes dy shteteve janë të shumta, dhe se ardhja e tyre në Kosovë është hap i mirë për konkretizimin e tyre.

Gërvalla, ka thënë se kjo vizitë gjithashtu shërben për forcimin edhe më tej të lidhjes mes dy shteteve, dhe është një mundësi e mirë për të mësuar nga njëra tjetra, dhe për të shkëmbyer përvoja të ndryshme.

Delegacionin prej 40 personash, përfshirë gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe të tjerë, e përshëndeti me një fjalë rasti edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi.

Ajo ka thënë se Republika e Kosovës është shumë e interesuar për të thelluar bashkëpunimin me shtetin e Iowas, dhe se po punojnë në këtë drejtim së bashku me Iowa Sister State.

Përfaqësues të këtij delegacioni, e kanë falënderuar ministren Gërvalla për pritjen, duke thënë se ata janë të lumtur që kanë miq kaq të mirë në Kosovë, dhe se shteti i Kosovës, është dhe do mbetet përherë një vend mik për ta.

Të dyja palët kanë shkëmbyer dhurata në shenjë falënderimi e miqësie.


Kalendari

Ngjarjet e datës 12 gusht 2022

 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë Doganën e Kosovës. (Drejtoria e Doganës, ora 8:30)

- Kuvendi nëpërmjet Grupit të Deputetëve të Rinj shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. (Salla plenare, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon takimet B2B në kuadër të aktiviteteve të Muajit të Mërgimtarëve. (Restaurant Ura e Shenjtë, ora 10:00)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë ((YIHR KS) shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë me një aksion rrugor me slloganin “Kur bohet mirë?!” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 12:00)

- Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, mban konferencë për medie në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari. (Zyrat e Tomë Gashit, mbi Kino ABC, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, vizitojnë kompaninë “Rroni Fer” Sh.P.K. (Magjistralja Gjakovë-Prizren_kilometri i dytë, Objekti i ish-ndërmarrjes “Metaliku”, Gjakovë, ora 14:30)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime organizon Festivalin e Rinisë për nder të Ditës së Rinisë. (Lagjja Taukbashqe, ora 18:00)

- Mbahet edicioni i parë i festivalit “MAL FEST”, i cili synon të jetë tradicional dhe objektiv e ka rininë dhe mërgatën e Komunës së Malishevës. Festivali organizohet nga Komuna e Malishevës në bashkëpunim me  organizatën “Values for Better Future”.(parku i qytetit në Malishevë, ora 19:00)

- Në kuadër të Akademisë Verore ‘’Arbën Xhaferi"  mbahet panel diskutimi me deputetët e rinjë të Kuvendit të Kosovës lidhur me rolin dhe rëndesin e të rinjëve në politikë. (Akademia për Siguri Publike të Kosovës, ora 19:30)