19 Prill 2024

Dean: Kosova do të jetë një model për 100 vjetët e ardhshme

Prishtinë, 30 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, u takua sot me Guvernatorin Howard Dean, ish kryetar i DNC-së (Komiteti Kombëtar Demokrat ) dhe ish-kandidat për president në SHBA.

Kryekuvendari Krasniqi fillimisht foli për situatën politike dhe gjendjen e sigurisë në vend, duke e vlerësuar si mjaft të mirë.

Ndërsa, duke folur rreth zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar ai theksoi se mbi bazën e rezultatit të këtyre zgjedhjeve është bërë konstituimi i institucioneve të vendit të cilat janë duke i kryer detyrat që i përcakton kushtetuta dhe ligji.

Krasniqi njoftoi Guvernatorin Howard Dean lidhur me formimin e komisioneve për ndryshimet kushtetuese dhe reformë zgjedhore.

\"Jemi duke bërë ndryshime Kushtetuese sa i përket zgjedhjes së Presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët dhe kemi filluar ndryshimet në sistemin zgjedhor. Kemi formuar dy komisione Ad-Hoc për ndryshimet kushtetuese dhe reformë zgjedhore. Besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit”, theksoi Krasniqi.

Ai sqaroi tutje se lidhur me këtë është duke u bashkëpunuar edhe me faktorët e jashtëm, duke përmendur veçanërisht bashkëpunimin me NDI-në.

Guvernatori Howard Dean duke përgëzuar Kryekuvendarin Krasniqi dhe NDI-në, për punën dhe angazhimet e gjertanishme, tha se bashkëpunimi me Parlamentin e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Më tej ai duke uruar për  rizgjedhjen në postin e Kryetarit të Kuvendit, tha se Kosova do të jetë një model për 100 vjetët e ardhshme, falë punës së suksesshme të institucioneve të vendit.

Duke përshëndetur edhe formimin e komisioneve për ndryshimet kushtetuese dhe reformë zgjedhore, Dean uroi për punën e komisioneve, ndërsa përgëzoi vendin për lidership, që sipas tij janë të gatshëm të zgjidhin çdo problem.

“Energjia e njerëzve këtu është e jashtëzakonshme.  Ju përgëzojmë për atë që po bëni, në mënyrë që vendi të jetë sa më i suksesshëm”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, z. Krasniqi tha se institucionet e vendit po përpiqen që t’i kryejmë detyrat e tyre, duke falenderuar në veçanti NDI-në për mbështetjen në kontinuitet, si dhe mbështetjen  e madhe që vendi ka pasur dhe vazhdon ta ketë nga SHBA-të.

Gjatë këtij takimi Guvernatori Howard Dean është informuar edhe rreth gjendjes së sistemit elektronik në Parlamentin e Kosovës, për të cilën kryekuvendari Krasniqi tha se edhe më tej nevojitet avansimi i teknologjisë më moderne, ndërsa sqaroi se puna në Kuvendin e Kosovës është transparente.

Po ashtu, u diskutua edhe për ndihmën dhe bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës do ta ketë në të ardhmen, me theks të veçantë në procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe reformës zgjedhore, nga NDI-ja.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)