20 Prill 2024

Çitaku: Dihet kush ka qenë agresor gjatë luftës në Kosovë

Prishtinë, 18 korrik - Është shumë me rëndësi që qytetarët e Kosovës e të Serbisë ta kuptojnë se ekzistojnë gjëra të cilat kurrë nuk do të mund t’i ndryshojmë, siç janë historia dhe ajo që ka ndodhur në të kaluarën, deklaroi në një intervistë për agjencinë serbe FoNet ministrja për Integrime e Kosovës Vlora Çitaku, duke theksuar se as gjeografia nuk mund të ndryshohet, por pajtimi megjithatë është i mundshëm.
 
Kosova dhe Serbia do të jenë fqinj gjatë pjesës së mbetur të jetëve tona, tha ajo, duke shtuar se beson që e ardhmja mund të ndryshohet. “Besoj se në saje të dialogut do të kemi mundësi të zgjidhim shumë çështje të rëndësishme teknike e praktike për qytetarët e të dy vendeve. Bashkëpunimi rajonal është parakusht për procesin e integrimeve evropiane”, tha Çitaku.

Siç transmeton Koha, ajo shfaqi shpresën se një ditë Kosova do të hapë ambasadën e saj në Beograd dhe se këtë gjë do ta bëjë edhe Serbia në Prishtinë.

E pyetur lidhur me mundësinë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve, Çitaku ka tërhequr vërejtjen se çdo ide e tillë do të çojë drejt konflikteve të reja, jo vetëm të Kosovës e Serbisë, Prishtinës dhe Beogradit, por edhe vendeve tjera të rajonit.

“Çdo ide për ndarje apo shkëmbim të territoreve do të mund të sillte deri te konfliktet e reja dhe lufta”, theksoi ministrja e Integrimeve.

Çitaku paralajmëroi se institucionet kosovare do të bashkëpunojnë në hetimet për tregtinë e pretenduar me organe të njeriut dhe se madje kanë kërkuar hetime urgjente, në mënyrë që të hiqet kjo barrë nga shpina dhe të shkohet më shpejtë drejt zhvillimit dhe integrimeve.

“Kosova nuk ka çka të fshehë, lufta në Kosovë para syve të botës nuk është zhvilluar para disa shekujve, por para 11 vjetëve”, përkujtoi ajo, duke shtuar se askush nuk dëshiron të bëjë barazime dhe bilance ndërmjet viktimave dhe agresorit. “Ne në Kosovë e dimë se kush ka qenë agresor. Mos më keqkuptoni, as ne nuk jemi krejt engjëj, por të barazohet populli me krimet kjo shkakton dëm të madh”, tha Çitaku.

Sipas saj, pajtimi është i mundshëm, por Serbia do të duhej të pushonte të jetojë në të kaluarën, të kuptojë se çka në fakt ka ndodhur në Kosovë dhe të kërkojë falje për atë.

Sfida më e madhe me të cilën po ballafaqohemi si rajon është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, tha ministrja Çitaku, duke shtuar se kriminelët nga Serbia e Kosova janë ngushtë të lidhur mes vete dhe për këtë arsye është i domosdoshëm bashkëpunimi rajonal. “Për këtë arsye institucionet e Serbisë dhe të Kosovës duhet të bashkëpunojnë”, përfundoi ajo.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)