19 Prill 2024

Çështja e statusit të Kosovës është e mbyllur përgjithmonë

Prishtinë, 8 korrik - Kryetari i Kuvendit të Kosovës , dr. Jakup Krasniqi, priti sot kryetaren e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, znj. Louise Arbour. Me këtë rast, znj. Louise Arbour shfaqi interesim për t’ u informuar lidhur me konsolidimin e shtetit të Kosovës, procesin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, rolin e prezencës ndërkombëtare, si dhe çështjen e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Kryekuvendari Krasniqi theksoi se gjatë tre vjetëve të pavarësisë Kosova ka miratuar legjislacionin e shtetësisë së saj.

Mbështetur edhe në Pakon e Ahtisarit janë formuar institucionet e sistemit demokratik të vendit. Kosova, tha në vijim kryekuvendari Krasniqi, ka marrëdhënie shumë të mira me të gjitha shtetet fqinje, pos me Serbinë , e cila mban qëndrim obstruktiv e refuzues ndaj Kosovës.

Ndërkaq, duke folur për prezencën ndërkombëtare në Kosovë, sidomos në aspektin e sigurisë, kjo prezencë ishte e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme. Gjatë viteve të lirisë dhe të pavarësisë Kosova ka marrë shumë përgjegjësi, që po i ushtron me shumë kompetencë e përgjegjësi.

Prezenca ndërkombëtare ka ndihmuar në ndërtimin e demokracisë në Kosovë, por prezenca ndërkombëtare ka pasur edhe dobësitë e saj që janë reflektuar në formën më të rëndë në veriun e Kosovës, ku ende nuk është vendosur rendi kushtetues dhe shteti ligjor.

ICO-ja ka luajtur rol pozitiv, por ka ardhur koha që kjo zyrë të shuhet, sepse është bërë e panevojshme mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës. Si BE-ja, ashtu edhe SHBA-ja, janë faktorë mbështetës të pazëvendësueshëm në Kosovë, the kryetari i Kuvendit.

Duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, kryekuvendari Krasniqi tha:”Ne ia kemi zgjatur dorën e fqinjësisë së mirë Serbisë, por ajo e refuzon këtë ofertë dhe vazhdimisht i dëmton interesat e Kosovës, përzihet në punët tona të brendshme dhe manipulon me komunitetin serb në Kosovë. Ne jemi shprehur të gatshëm të dialogojmë me Serbinë, por çështja e statusit të Kosovës është e mbyllur njëherë e përgjithmonë”, tha kreu i legjislativit të vendit. Kur është fjala për zgjidhjen e problemeve praktike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, z. Krasniqi tha se ato duhet të zgjidhen mbi bazën e reciprocitetit, si dy shteteve të lira dhe të pavarura.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)