26 Prill 2024

Blinken: Kosova partner i jashtëzakonshëm i ShBA

Prishtinë, 6 shtator - Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka falënderuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e ngushtë për t’u ofruar strehim qytetarëve afganë dhe për shpëtimin e mijëra jetëve.

Në një bisedë telefonike ai tha se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Biden, Kosova është partner i jashtëzakonshëm.

Kryeministri Kurti ritheksoi se kur kemi të bëjmë me çështje humanitare dhe kur janë në pyetje aleatët tanë, atëherë nuk bëhet pyetja “pse”, por japim përgjigje “si”. Ai tha se Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre.

“Aleanca jonë me ShBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, tha kryeministri Kurti.

Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga partneri strategjik dhe aleati ynë i padiskutueshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri u falënderua për përkrahjen me vaksina, veçanërisht në këtë gjendje të rënduar në përballje me përhapjen e shpejtë të variantit Delta të virusit.

Sekretari Blinken u shpreh i lumtur që në Kosovë kanë arritur mbi 500 mijë doza të vaksinës së kompanisë Pfizer kundër COVID-19, të cilat ShBA ia dhuroi Kosovës. Ai nënvizoi përkushtimin për thellimin e miqësisë dhe partneritetit ndërmjet të dyja vendeve.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

Ai tha se shtetet e rajonit do të duhej të shtonin angazhimin në sundimin e ligjit kundër korrupsionit dhe oligarkëve, demokratizimin kundrejt autokratëve, përballjen me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës në pushtet, si dhe reciprocitetin e të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale.

Kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Blinken për punën e qeverisë së re dhe theksoi faktin se tre njerëzit në krye të listës fituese në zgjedhjet e fundit tani po i drejtojnë tri institucionet kryesore të vendit.

Ai ritheksoi gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim më të madh me ShBA-në, për të rritur investimet e jashtme direkte si dhe shkëmbimet tregtare me Kosovën. Po ashtu e njoftoi atë për rritjen e eksportit, aktivitetit ekonomik dhe të hyrave buxhetore në Kosovë.

Në përmbyllje të takimit, Sekretari Blinken, në emër të Presidentit të ShBA-së shprehu mirënjohje për nderimin që Kosova ia ka bërë Beau Bidenit, djalit të ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)