19 Prill 2024

Blair, nderohet me titullin, "Doctor Honoris Causa"

Prishtinë, 9 korrik - Ish kryeministri anglez, Tony Blair në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, ka mbajtur fjalën në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës e mbledhur për nder të tij.

 

Blair gjatë seancës, u nderua nga Universiteti i Prishtinës me tutullin "Doctor honoris Causa" për ndihmën që i ka dhënë shtetit të ri në kohët e tij më të vështira.

I cilësuar si mik dhe hero i Kosovës për kontributin e dhënë gjatë fillimit të fushatës ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe të Millosheviqit, që më pas solli lirinë dhe pavarësinë e sotme të Kosovës, Toni Bler po pritet në Prishtinë me nderimet më të mëdha.

Ndërsa u shpall Doktor Nderi i Universitetit të Prishtinës, Bler tha se para 11 vjetësh kishte parë një Kosovë të rrënuar e me plot sfida të luftës. Kurse sot, ai tha se po shihte një Republikë, shtet të ri, ku njerëzit po e mirëpresin me ngrohtësi.

“Më kujtohet koha, para disa viteve më parë, kur ne i morëm ato vendime, pa e ditur se cilat do të jenë rezultatet, por duke e ditur se nëse nuk do të vepronim, rreziku do të ishte më i madh dhe nuk do të meritonim emrin e civilizimit më. Pra, vepruam dhe jam shumë krenar që e bëmë këtë”, tha Toni Bler.

Ai tha se ndihej krenar që ishte ndër të parët që mbështeti intervenimin e NATO-s, që çoi deri te çlirimi i Kosovës.

“Është një vend i madh ky shtet i pavarur i Kosovës dhe do ta bëni edhe më të madh ju vetë”, tha Toni Bler, duke ofruar edhe angazhimin e tij nëse kjo shihet e domosdoshme për të mirën e Kosovës.

Ndërkohë, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, rikujtoi ditët e fundit të luftës së vitit 1999, kur Kosovës po i shtoheshin shpresat e lirisë, kurse emri i kryeministrit Toni Bler ishte bërë tashmë një nga ikonat e kësaj lirie.

“Sot, para 11 vjetësh, një ushtar i paushqyer, me një pushkë dhe përplot zemër, luftonte për lirinë e popullit të vet. Sot, para 11 vjetësh, një nënë, përveç mbijetesës së minutave të fundit të luftës, kishte edhe një hall, se si ta pagëzonte djalin që lindi në mal. Mendja i shkoi që ta pagëzonte në Çlirim apo në Shpëtim. Por, ajo gjeti një emër që personifikonte edhe çlirimin, edhe shpëtimin - vendosi ta pagëzonte djalin e saj me emrin Toni Bler”, tha Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)