31 Korrik 2021

Bisedimet Kosovë-Serbi nisin në 8 mars në Bruksel

Prishtinë, 3 shkurt - Bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit duket se do të nisin në 8 mars. Lajmin e ka bërë publik ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili bëri me dije se takimi mes dy delegacioneve shqiptare dhe serbe do të zhvillohet në Bruksel.

Sipas ministrit Rexhepi në takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ka qenë vetë Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fule që para pak muajsh dorëzoi në Beograd axhendën e propozuar nga BE për bisedime me Kosovën.

Axhenda e bisedimeve përmban vetëm çështje praktike, dhe aspak diskutime për statusin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Axhenda e propozuar nga BE përmban bisedime mbi mbrojtjen kufitare, doganat, tregtinë, ekonominë, transportin, telekomunikimin, trashëgiminë kulturore dhe fetare si dhe për luftën kundër krimit të organizuar.

Ndërkohë dje qeveria e Kosovës miratoi axhendën e bisedimeve me Serbinë, ku sipas saj do të bisedohet vetëm për çështje praktike.

Qeveria Thaçi paralajmëroi se në rast se pala serbe do të tentojë të dalë jashtë axhendës, atëherë pala kosovare do të bojkotojë bisedimet.

Nderkaq Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi informoi sot Kuvendin e Kosovës për fillimin e procesit të bisedimeve me Serbinë, dhe kërkoi nga deputetët, shoqëria civile dhe individët të japin kontributin e tyre në këtë proces. Ndërsa, partitë opozitare nuk janë ndarë të kënaqura vetëm me një informatë.

Edhe pse qe paralajmëruar, sot nuk është miratuar rezoluta për bisedimet me Serbinë, por kryeministri Hashim Thaçi ka informuar deputetët në lidhje me procesin.

Ai kërkoi nga deputetët, të japin kontributin e tyre në këtë proces. Kryeministri tha se procesi do të rezultojë me njohjen reciproke të dy shteteve dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ndërsa partitë opozitare nuk ishin të kënaqura që në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës qeveria doli vetëm me një informatë të thjeshtë për bisedimet me Serbinë.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Ismet Beqiri tha se informata e lexuar nga kryeministri Thaçi nuk ishte asgjë. Ai madje tha se në LDK nuk mendojnë se bisedimet duhet të jenë prioritet dhe nuk ka nevojë të jenë të ngutshme.

Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ahmet Isufi mendon se është dashur të ketë debat për çështjen e bisedimeve.
 
Edhe Lëvizja Vetëvendosje! sot ka paraqitur pranë kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për të premten 4 mars, në të cilën do të diskutoheshin bisedimet me Serbinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 31 Korrik 2021

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane dhe Komunën e Prishtinës organizon për herë të parë Panairin e Vullnetarëve të Shëndetit Mendor. (Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Federat e Futbollit të Kosovës organizon workshop-in rreth sistemit VAR. (Kampi Edukativ Nacional në Hajvali, ora 17:00)