28 Mars 2024

Berisha: Kosova është faktor stabiliteti e paqeje në rajon

Tiranë, 31 mars - Zvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri është pritur sot nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me të cilin ka biseduar për politikën e jashtme, aktivitetet diplomatike dhe sigurinë nacionale të të dyja vendeve.

Kryeministri Berisha e përgëzoj Qeverinë e Kosovës për sukseset e arritura që nga shpallja e pavarësisë, duke thënë se Republika e Kosovës është faktor stabiliteti e paqeje në rajon, por edhe  më gjerë.

Përparimet që janë bërë në fushën e sigurisë, tha kryeministri Berisha, kanë bërë që Kosova të këtë tregues më të mirë të sigurisë se sa edhe disa vende anëtare të BE-së.

Më tutje, kryeministri i Shqipërisë tha se shumë shpejtë pret që të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës me BE-në, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për një gjë të tillë, si dhe u zotua që Republika e Shqipërisë do ta përkrahë pa rezervë Republikën e Kosovës drejt anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare e sidomos në NATO dhe BE.

Zëvendëskryeministrja Tahiri e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen duke e falënderuar Republikën e Shqipërisë për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme për Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe pavarësisë.  Zëvendëskryeministrja  theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve midis të dyja vendeve në të gjitha sferat në funksion të interesit kombëtar dhe interesit të të dyja shteteve.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri më pas shpalosi vizionin e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e shtetit në politikat e brendshme dhe të jashtme duke potencuar prioritet kryesore si, zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, mirëqenien sociale dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët dhe komunitetet.

Ky vizion po shoqërohet me reforma të shumta në vend që do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, zgjidhjen e çështjes së punësimit, sjelljen e investitorëve të huaj në Kosovë dhe mirëqenien më cilësore për qytetarët e Kosovës, theksoi zëvëndëskryeministrja Edita Tahiri.

Më tutje, Zëvendëskryeministrja shprehu vizionin e politikës së jashtme të Kosovës, me fokus në forcimin e mëtejmë të aleancës strategjike me SHBA-të, integrimet evro-atlantike dhe synimeve që Kosova sa më shpejtë të anëtarësohet në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera relevante. 

Në këtë kuadër, vuri në pah përgatitjet për strategjinë e re lobuese për njohjen globale të shtetit të Kosovës në koordinimin me aleatët ndërkombëtarë.

Duke folur për dialogun teknik, znj. Tahiri theksoi se ky dialog ka karakter ekskluzivisht teknik midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane të Kosovës dhe Serbisë dhe se qeveria e Republikës së Kosovës po  ndjek një qasje konstruktive për të kontribuar pozitivisht për përmirësimin e jetës së qytetarëve, si dhe për ta integruar Kosovën më shpejt në BE.

Po ashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi ndërmjetësimin e BE-së për dialogun teknik dhe mbështetjen nga SHBA-të, duke bërë të qartë se dialogu në asnjë mënyrë nuk do të trajtojë çështje të natyrës politike.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, e njohur ndërkombëtarisht dhe, Gjykata ndërkombëtare për drejtësi konfirmoi legjitimitetin e pavarësisë. Qeveria e Kosovës e kupton dialogun si një obligim ndërkombëtar të kërkuar nga Rezoluta e OKB-së dhe angazhimi ynë është të kontribuojmë për marrëdhënie të mira fqinjësore me vendet e rajonit, ka theksuar Zëvendëskryeministja.

Kryeministri Berisha tha se që nga fillimi e ka mbështetur dialogun për çështje teknike mes dy vendeve të pavarura dhe se është i bindur se zëvendëskryeministrja Tahiri e përfaqëson me shumë dinjitet Republikën e Kosovës në këtë dialog.

Fakti se ky dialog mbahet në Bruksel është edhe një sinjal për integrimin e shpejtë të Kosovës në BE dhe fakti se SHBA-të e mbështesin aktivisht atë është një indikator shumë i rëndësishëm, tha kryeministri Berisha.

Në këtë takim me Zëvendëskryeministren znj. Edita Tahiri ishin edhe këshilltari i Kryeministrit Thaçi, Lirim Greiçevci, këshilltari i zëvendëskryeministres Tahiri, Dren Zeka, këshilltari Gazmir Raci dhe sekretari i parë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shqipëri, Burim Qorri.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)