19 Prill 2024

Beogradi i ofron Kosovës vendin në OKB për veriun

Beograd, 12 korrik - Mbas takimit të funksionarëve të lartë të BE-së me liderët e Kosovës, u dha rekomandimi se duhet të gjendet një zgjidhje për veriun.

Të paktën kështu vë në dukje këto ditë gazeta e përditshme serbe, “Blic”, e cila, duke iu referuar qarqeve të afërta me ata që po bisedojnë, sikurse pretendon ajo, për mundësinë e ndarjes së Kosovës shton se kjo ndarje dhe shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë janë tema kryesore, rreth të cilave kjo e fundit do të dëshironte që, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, të bisedonte me Prishtinën mbas shpalljes nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës të mendimit për vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa thekson se për këtë çështje ka kohë që po diskutohet në qarqet ndërkombëtare, “Blici” shkruan se “aduti (karta) kryesor në duart e Beogradit është vendi në OKB për Kosovën, pa të cilin kjo e fundit nuk mund të jetë shtet në kuptimin e plotë të tij”.

“Si bazë kryesore për këto bisedime duhet të jetë motoja se asnjëra palë, në këtë rast Kosova, të mos fitojë gjithçka, kurse pala tjetër të humbasë gjithçka, dhe se vetëm një marrëveshje përkatëse do të mund të çonte deri te një zgjidhje e qëndrueshme, e cila, nga ana e saj, do t’i fuste këta dy vende në BE”, shkruan gazeta e lartpërmendur, ndërsa thekson se në bashkësinë ndërkombëtare po bëhen përpjekje për të krijuar një atmosferë të favorshme për bisedimet dypalëshe.

“Një moment i favorshëm do të jetë ai pas shpalljes së mendimit nga GJND-ja dhe predispozicioni i shumicës së vendeve-anëtare të Asamblesë së Përgjithshme OKB-së është se diçka duhet të bëhet mbas publikimit të këtij mendimi”, shkruan gazeta e mësipërme serbe, duke vazhduar më poshtë se “udhëheqja politike në Beograd pret që, nëse ky plan do të ketë sukses, kryesimi ose ndërmjetësimi në këto bisedime t’i takojë BE-së. Beogradi, në këtë rast, do të paraqitet si një palë kooperuese që nuk do të vejë asnjë kusht”, shkruan gazeta, duke iu referuar qarqeve diplomatike të afërta me bisedimet, por pa specifikuar se kush po i zhvillon këto bisedime.

“Megjithatë, vazhdon ajo, llogaritë janë të tilla: Veriu i Kosovës, faktikisht ose në një mënyrë më pak të dukshme, me një autonomi shumë të lartë, t’i përkasë Serbisë, në atë mënyrë që Beogradi ta ketë nën kontroll këtë territor. Për manastiret serbe në Kosovë do të kërkohet eksterritorialitet ose një lloj kompetence e plotë e Kishës Ortodokse të Serbisë mbi ta.

Kosovës, si shkëmbim, do t’i jepet një pjesë e Luginës së Preshevës, e banuar në pjesën e saj më të madhe nga popullsi shqiptare, dhe sigurisht, ajo që është aduti më kryesor në këto bisedime, vendi në OKB”.

Lobimi për këtë skenar, sipas “Blicit”, ka nisur qysh në fillim të këtij viti në bashkësinë ndërkombëtare dhe është fakt se në media, gjithnjë e më shpesh, po shfaqen tekste për këtë temë, gjë që dëshmon se bisedimet kanë shkuar larg në këtë drejtim.

“Në Prishtinë, si edhe në bashkësinë ndërkombëtare, gjithnjë e më shpesh po paralajmërohen bisedimet që do të fillojnë me Beogradin mbas shpalljes së vendimit nga ana e GJND-së dhe që do të përfshinin çështje të tilla si shkëmbimi i territorit dhe shkalla të ndryshme autonomie për territore të caktuara”, shkruan gazeta e lartpërmendur serbe, që vazhdon më poshtë se “gazeta ‘Zëri’ e Prishtinës, e afërt me autoritetet kosovare, para dy ditësh paralajmëroi se bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit do të mund të fillonin pak muaj mbas shpalljes së mendimit të GJND-së”.

 Gazeta “Zëri”, sipas “Blicit”, shkruante se, mbas takimit të kohëve të fundit të funksionarëve të lartë të BE-së me liderët e Kosovës, u dha rekomandimi se duhet të gjendet një zgjidhje për veriun, ndërkohë që nga Serbia pritet që ajo të ndryshojë qëndrimin e saj të patundur ndaj shtetësisë së Kosovës.

Burimet (zyrtarët) ndërkombëtare, të cilave u referohet “Blici”, thonë se është Beogradi ai që duhet ta propozojë “shkëmbimin e territoreve”, por se Prishtina nuk mund të hyjë në bisedime për shkëmbimin e territoreve “pa një koordinim të ri ndërkombëtar dhe pa një garanci të fuqishme ndërkombëtare për çfarëdo qoftë marrëveshje eventuale për Kosovën”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)