29 Mars 2024

BE në mbështetje të proceseve integruese të Kosovës

Bruksel, 23 qershor - Në ditën e parë të qëndrimit në Bruksel, delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, ka marrë pjesë në takimin e përvitshëm ndërparlamentar dyditor, Parlamenti Evropian – Kosova, i cili po mbahet në selinë e Parlamentit Evropian.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, prezantuan para europarlamentarëve të arriturat e Kosovës gjatë një viti, sfidat nëpër të cilat ka kaluar ajo gjatë këtyre proceseve dhe objektivat për të ardhmen.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Zylfije Hundozi foli për procesin e integrimeve evropiane, kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, Sabri Hamiti foli për fqinjësinë e mirë, ndërsa Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, dha një pasqyrë të ndërtimit të institucioneve të Kosovës dhe gjyqësisë.

Në vazhdim u fol gjerësisht për luftën kundër krimit, liberalizimin e vizave, zhvillimin ekonomik etj. U kërkua që të qartësohen hapat konkretë të integrimit evropian të Kosovës si dhe të hapet procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave.

Nga diskutimet u rikonfirmua vazhdimi i ndihmës së gjithanshme të Parlamentit Evropian për Kosovën dhe se Bashkimi Evropian do të jetë në mbështetje të proceseve integruese të Kosovës në të ardhmen.

Gjatë takimit parlamentarët evropianë shtruan një sërë pyetjesh, të cilave iu përgjigjën kryeparlamentari Krasniqi, zëvendëskryeministri Kuçi dhe deputetë në delegacion.

Punimet do të vazhdojnë edhe të mërkurën dhe pritet që në fund ta takimit të miratohet një deklaratë të përbashkët e Parlamentit Evropian dhe Kosovës.

Gjatë ditës delegacioni pati një takim të shkurtër me z. Eduard Kukan, president i delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën.

Në përbërje të delegacionit të Kosovës janë edhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, Berim Ramosaj, anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Sllobodan Petroviq, shefi i Grupit Parlamentar 7 +,  Xhezair Murati, këshilltari i lartë politik dhe shef i kabinetit të kryeparlamentarit Krasniqi, Mehmet Hajrizi dhe këshilltari për protokoll dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Skënder Reçica.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)